NATO i bën thirrje Kinës dhe Rusisë të respektojnë ligjin ndërkombëtar
(last modified Mon, 14 Jun 2021 18:12:39 GMT )
Qershor 14, 2021 20:12 Europe/Tirane
  • NATO i bën thirrje Kinës dhe Rusisë të respektojnë ligjin ndërkombëtar

Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s të hënën (14 qershor) kanë rënë dakord të rrisin mbrojtjen e tyre të përbashkët “kundër të gjitha kërcënimeve, nga të gjitha drejtimet”.

Kështu thuhet në deklaratën pas samitit të NATO-s të mbajtur në Bruksel me prezencën edhe të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Në lidhje me raportet me Rusinë, udhëheqësit e NATO-s thanë se nuk mund të ketë një kthesë në marrëdhëniet normale midis aleancës ushtarake perëndimore dhe Rusisë, derisa Moska të sillet në përputhje me ligjin ndërkombëtar. “Veprimet agresive të Rusisë përbëjnë një kërcënim për sigurinë euro-atlantike”, thanë udhëheqësit. Ata kanë përmendur “rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve ushtarake ruse dhe aktivitetet provokuese, përfshirë ato pranë kufijve të vendeve anëtare të NATO-s”. “NATO nuk kërkon konfrontim dhe nuk paraqet asnjë kërcënim për Rusinë”, thuhet në deklaratë. Liderët e NATO-s gjithashtu i bënë thirrje Rusisë të heqë dorë nga përcaktimi si “vende jo miqësore” ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Çekisë. Aleatët dënuan “fushatat e dezinformimit” të Moskës, “aktivitetet kibernetike” të dëmshme dhe ndërhyrjet në zgjedhje të vendeve anëtarëve të NATO-s. Deklarata thotë se NATO-ja do t’i përgjigjej arsenalit bërthamor në rritje të Rusisë dhe i bëri thirrje Iranit të ndalojë të gjitha aktivitetet e raketave balistike.

Raportet me Kinën

Udhëheqësit e NATO-s vlerësojnë se sjellja gjithnjë e më agresive e Kinës paraqet “sfidë të vazhdueshme” për sistemin global të bazuar në rregulla, si dhe sigurinë euro-atlantike. Shqetësimi i 30 krerëve të shteteve dhe qeverive ka të bëjë me “politikat” e Kinës, duke përmendur arsenalin bërthamor që sipas tyre po “zgjerohet me shpejtësi”, bashkëpunimin ushtarak me Rusinë dhe “mungesën e transparencës dhe dezinformimin”. Komunikata i bëri thirrje Pekinit “të veprojë me përgjegjësi në sistemin ndërkombëtar “. Më herët presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se NATO-ja është “shumë e rëndësishme” për interesat amerikane. Sipas tij klauzola e NATO-s për mbrojtje reciproke është “një detyrim i shenjtë”. Biden tha se Rusia nuk vepron në përputhje me atë që shpresojmë dhe po ashtu edhe Kina. NATO-ja është thelbësore për interesat amerikane. Neni i 5-të është një detyrim i shenjtë” dhe Europa duhet të dijë se Shtetet e Bashkuara janë këtu. Me këtë koment, Biden iu referua klauzolës së mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s. Sekretari Stoltenberg tha se marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë janë në “pikën më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë”. “Kjo është për shkak të veprimeve agresive të Rusisë,” deklaroi ai ndërsa insistoi që aleanca  të ketë një qasje më të ashpër ndaj Pekinit. Ne nuk po hyjmë në një Luftë të re të Ftohtë dhe Kina nuk është kundërshtari ynë, as armiku ynë. Por, ne duhet t’i trajtojmë së bashku, si aleancë, sfidat që ngritja e Kinës paraqet për sigurinë tonë”, u shpreh shefi i NATO-s.

 

Tags