Incidenti ruso-britanik, shtimi i presionit të NATO-s ndaj Moskës
(last modified Fri, 25 Jun 2021 18:51:32 GMT )
Qershor 25, 2021 20:51 Europe/Tirane
  • Incidenti ruso-britanik, shtimi i presionit të NATO-s ndaj Moskës

Të Mërkurën, 23 Qershor, Ministria e Jashtme Ruse akuzoi Londrën për "provokim flagrant" dhe thirri ambasadorin britanik pasi një anije e Marinës Mbretërore, HMS Defender, iu afrua bregdetit të Krimesë atë mëngjes.

Moska dënoi "një shkelje flagrante të konventës së Kombeve të Bashkuara", duke i bërë thirrje Mbretërisë së Bashkuar të "kryejë një hetim të plotë". Nga ana tjetër, Ministria Ruse e Mbrojtjes pretendoi se kishte qëlluar me të shtëna paralajmëruese pranë luftanijes britanike dhe madje bombardoi trajektoren e saj. Incidenti u mohua nga ana e Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, e cila siguron se destrojeri i saj po bënte një "kalim normal" në ujërat e Ukrainës. "Asnjë e shtënë paralajmëruese nuk u qëllua mbi destrojerin HMS Defender ", shtoi ministria britanike. Sipas Moskës, HMS Defender, që vepronte në pjesën veriperëndimore të Detit të Zi, shkeli kufirin e Rusisë dhe hyri në ujërat e saj territoriale. Anija kishte dalë 3 kilometra në ujërat ruse pranë Kepit Fiolent, jo shumë larg portit të Sevastopolit, seli e flotës ruse në Detin e Zi. "Luftanija ruse kishte qëlluar me të shtëna paralajmëruese dhe një aeroplan SU-24M hodhi  bomba në rrugën e anijes britanike," tha Ministria Ruse e Mbrojtjes. Moska fajëson vendet evropiane për kërkimin e përshkallëzimit të tensioneve. Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se disa vende evropiane duan të nxisin tensionet me Moskën. I cituar nga agjencia e lajmeve TASS, Shoigu iu referua çështjes së Ukrainës e cila "në prag të Samitit të NATO-s, kreu akte provokimi në rajonin Donbass" në lindje të Ukrainës. Sipas ministrit rus të mbrojtjes, me sa duket midis vendeve evropiane është vendosur një "prirje për rritjen e konfrontimeve ushtarake". Ai denoncoi gjithashtu përpjekjet e NATO-s për të forcuar trupat e saj për sa i përket numrit dhe aftësive ushtarake, ndërsa shqyrtoi rrugët e vendosjes së shpejtë të trupave përgjatë kufijve të përbashkët midis Rusisë dhe Bjellorusisë. Nga ana e tij, zv. Ministri i jashtëm rus Sergey Ryabkov paralajmëroi se Moska nuk do të tolerojë të tjera shkelje në ujërat e saj. “Ne po i bëjmë apel logjikës, dhe kërkojmë respekt për ligjin ndërkombëtar. Nëse kjo nuk zgjidh gjë, nuk do të bombardojmë  vetëm në afërsi të objektivit por mbi të, nëse kolegët tanë britanikë e kuptojnë”, tha ai. “Paralajmërojmë këdo që shkel kufijtë shtetërorë të Rusisë nën sloganin e ‘navigimit të lirë’, të heqë dorë nga këto akte provokative sepse siguria e vendit tonë vjen e para”, shtoi Ryabkov . Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov të enjten e cilësoi si një provokim të qëllimshëm dhe të përgatitur një shkelje të destrojerëve britanikë të ujërave territoriale të Rusisë në brigjet e Krimesë. “Ne konsiderojmë që destrojeri britanik ka kryer provokime. Për ne ky ishte një provokim i qëllimshëm dhe i përgatitur, ”tha ai, njoftoi agjencia e lajmeve TASS. "Në rast të një përsëritje të një veprimi provokues të papranueshëm - nëse ato veprime shkojnë shumë larg, asnjë mundësi nuk mund të përjashtohet në drejtim të mbrojtjes ligjore të kufijve të Rusisë," paralajmëroi Peskov.

 

Tags