Grushtshteti në Tunizi
(last modified Mon, 26 Jul 2021 14:09:36 GMT )
Korrik 26, 2021 16:09 Europe/Tirane
  • Grushtshteti në Tunizi

Në një veprim të ngjashëm me grushtshtet, Ghejs Sa’id, presidenti i Tunizisë, të dielën në brëmje, ka shkarkuar kryeministrin Hesham Al-Mashishi, ka shpërndarë qeverinë dhe ka pezulluar punën e Parlamentit dhe ka hequr imunitetin politik të deputetëve dhe ka deklaruar se me ndihmën e një kryeministri të ri, do të marrë në dorë pushtetin ekzekutiv në vend.

Ky veprim, konsiderohet veprimi më i madh gjatë një dekade të fundit që është bërë kundër Kushtetutës së Tunizisë e cila e ndan pushtetin mes presidentit, kryeministrit dhe parlamentit. Këto zhvillime mund të konsiderohen si kriza më e madhe politike në Tunizi që nga koha e revolucionit popullor të vitit 2011, kur u shkarkua nga pushteti Bin Ali, presidenti i asaj kohe në Tunizi. Ky veprim i presidentit të Tunizisë ka ardhur pas disa muaj tensione politike në këtë vend të vogël në Afrikën Veriore. Megjithëkëtë reagimet negative ndaj këtij veprimi të presidentit të Tunizisë që është i ngjashëm me grushtshtet, po shtohen gjithnjë e më tepër. Siç duket gjatë ditëve të ardhshme duhet pritur pozicionimin nëpër rrugë të kundërshtarëve dhe përkrahësve të këtij veprimi ngjashëm me grushtshtet të Ghajs Sa’id.

Presidenti i Tunizisë në shpjegimin e këtij veprimi të papritur dhe në kundërshtim me Kushtetutën e këtij vendi, ka thënë se arsyet kryesore për këtë veprim është keqmenaxhimi i qeverisë në lidhje me pandeminë e virusit Korona dhe gjendja kritike ekonomike e këtij vendi.

Megjithëkëtë nuk duhet harruar se Tunizia ka shumë kohë që po përballet me mosmarrëveshje mes kryeministrit dhe presidentit në lidhje me zgjedhjen dhe emërimin e ministrave dhe në realitet ka kohë që ka filluar një luftë për pushtet mes këtyre dy funksionarëve të lartë. Gjatë ditëve të kaluara qytetarët e qyteteve të ndryshme të Tunizisë kanë protestuar nëpër rrugë kundër keqmenaxhimit të qeverisë në luftën kundër pandemisë së virusit Korona si dhe kundër kushteve të vështira ekonomike dhe jetësore. Presidenti i Tunizisë i ka paralajmëruar protestuesit se të rinjtë e këtij vendi për shkak të varfërisë së tyre, nuk duhet të krijojnë kaos dhe trazira në këtë vend. Tensionet politike në Tunizi janë shtuar në kohën kur me përhapjen e pandemisë së virusit Korona, është përkeqësuar edhe gjendja ekonomike për popullin e këtij vendi më shumë se në të kaluarën dhe është rritur niveli i varfërisë. Këto rrethana janë bërë shkak që shumë prej qytetarëve të këtij vendi gjithashtu larg brengave politike, të dalin nëpër rrugët e qyteteve dhe të protestojnë kundër kushteve të këqija ekonomike dhe sociale. Me mijëra protestues tunizianë ditën e kaluar janë përleshur me forcat policore nëpër rrugët e qyteteve dhe kanë hedhur slogane kundër partisë në pushtet dhe kanë kërkuar shpërndarjen e Parlamentit. Sindikatat e punëtorëve në Tunizi disa muaj më parë kishin paralajmëruar për vazhdimin e përkeqësimit të krizës ekonomike dhe sociale në rast të mosndërmarrjes së veprimeve efikase nga ana e qeverisë për t’i dhënë fund situatës kritike dhe tensioneve në vend. Në realitet, edhe pasi kanë kaluar dhjetë vite që nga revolucioni popullor i vitit 2011 në Tunizi, jo vetëm që nuk është krijuar stabilitet politik në këtë vend, por edhe demokracia dhe kërkesat ekonomike, sociale dhe politike të qytetarëve të këtij vendi kanë humbur rëndësinë e vet nën hijen e mosmarrëveshjeve për pushtet. Tani joefikasiteti i qeverisë së Tunizisë për të vendosur rendin dhe për ta stabilizuar situatën ekonomike si dhe përballja joefikase me pandeminë e virusit Korona janë bërë pretekste për presidentin e këtij vendi që duke shpërndarë kabinetin qeveritar dhe duke pezulluar parlamentin, të shkeli parimin e shpërndarjes së pushteti dhe me shkarkimin e kryeministrit dhe me mbylljen e parlamentit, të marrë në dorë të gjithë pushtetin në mënyrë të plotë, por natyrisht me mbështetjen e ushtrisë.

Megjithëkëtë pritet që gjatë ditëve të ardhme me zgjerimin e protestave kundër këtij veprimi të paligjshëm të Ghejs Sa’id, të shtohen edhe tensionet politike në Tunizi dhe në përgjithësi ky vend të përballet me pasiguri dhe trazira.

Tags