Dështimi i Perëndimit në Afganistan dhe frika nga vala e migracionit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i112988-dështimi_i_perëndimit_në_afganistan_dhe_frika_nga_vala_e_migracionit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar për hyrjen e trupave talebanë në Afganistan dhe situatën kaotike që është krijuar duke theksuar se kolapsi është shkaktuar nga dështimi i udhëheqjes afgane.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Gusht 17, 2021 20:09 Europe/Tirane
  • Dështimi i Perëndimit në Afganistan dhe frika nga vala e migracionit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar për hyrjen e trupave talebanë në Afganistan dhe situatën kaotike që është krijuar duke theksuar se kolapsi është shkaktuar nga dështimi i udhëheqjes afgane.

Stoltenberg tha se “lidershipi politik afgan nuk arriti të qëndrojë” dhe se “ky dështim i lidershipit afgan solli tragjedinë që ne po shohim sot”. Delaratat e tij erdhën pasi ai mbajti një takim të martën me të dërguarit e NATO -s për të diskutuar pasojat e fitores së talebanëve në Afganistan. Duke iu referuar mënyrës se si forcat e armatosura afgane “u shuan” përballë ofensivës talebane, Stoltenberg tha se “ishte një surprizë, shpejtësia e kolapsit dhe sa shpejt ndodhi”. Ndër të tjera ai shtoi se “ka mësime që duhen mësuar” nga NATO. BE-në e gjeti me sa duket të papërgatitur marshimi i shpejtë i talibanëve dhe dorëzimi i shpejtë i qeverisë afgane. Vetëm të enjten e kaluar, krydiplomati i BE, Josep Borrell shkroi, se talibanët duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve në Doha, të bien dakord për një armëpushim dhe një qeveri me pjesëmarrjen e të gjitha palëve. Të shkruash këtë dy ditë para rënies së Kabulit, do të thotë të mos e njohësh gjendjen. Në disa vende europiane, anëtare të NATO-s, të hënën u zhvilluan takime të komiteteve të sigurisë, si në Britaninë e Madhe, Belgjikë, Francë. Shtabi qendror i NATO-s në Bruksel heshti. Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace bëri të ditur një procedurë të përshpejtuar largimin për punonjësit civilë. "Disa nuk do t'ia dalin", tha Wallace. Kjo është e trishtueshme. Vetëm afganët që ia kanë dalë të vijnë deri në Kabul kanë shans të evakuohen. Në Berlin zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme deklaroi, se është e paqartë, sa kohë mund të vazhdojnë evakuimet nga Kabuli. Kancelarja Merkel bëri fjalë të hënën për "orë të hidhura". Qeveria gjermane ka identifikuar para muajsh 2500 forca lokale, kësaj i shtohen 2000 aktivistë për të drejtat e njeriut e avokatë së bashku me familjet e tyre, gjithsej rreth 10.000 vetë. Gjermania aktualisht evakuon në bashkëpunim me SHBA. "Pa ndihmën e SHBA ne nuk mund ta kryejmë një mision të tillë", tha Merkel. Për femrat e ata që u angazhuan për lirinë këto janë "ngjarje të hidhura." Mësimet duhet të nxirren nga operacioni dy-dekadësh, tha Merkel, duke shtuar se në misione të tillë mbase duhet vendosur qëllime më të vogla. Kreu i partisë së Merkelit, Armin Laschet, e kishte quajtur të hënën më herët operacionin në Afganistan si "debaklin më të madh" në historinë e NATO-s. Në Paris u zhvillua të hënën një takim i posaçëm i Këshillit të Mbrojtjes me presidentin Macron. Në një fjalim televiziv, Macron u shpreh se Franca do të pranojë aktivistë të kërcënuar të shoqërisë civile, artistë, gazetarë. Tek qeveria franceze ashtu si edhe në mjaft qeveri të BE ekziston frika e një krize të re refugjatësh, në rast se miliona afganë marrin rrugën drejt BE. Ministri grek i Migracionit, Notis Mitarakis e bëri ndërkohë të ditu se Greqia nuk do të shërbejë si "portë hyrëse për një valë të re refugjatësh".