Afganët protestojnë kundër Pakistanit, talebanët qëllojnë në ajër
https://parstoday.ir/sq/news/world-i113884-afganët_protestojnë_kundër_pakistanit_talebanët_qëllojnë_në_ajër
Forcat talebane kanë qëlluar në ajër për të shpërndarë protestuesit e mbledhur për një tubim përballë ambasadës së Pakistanit në kryeqytetin Kabul.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shtator 07, 2021 15:30 Europe/Tirane
  • Afganët protestojnë kundër Pakistanit, talebanët qëllojnë në ajër

Forcat talebane kanë qëlluar në ajër për të shpërndarë protestuesit e mbledhur për një tubim përballë ambasadës së Pakistanit në kryeqytetin Kabul.

Qindra njerëz, kryesisht gra, u mblodhën të martën përballë ndërtesës së ambasadës së Pakistanit, duke mbajtur parulla, duke brohoritur kundër qeverisë në Pakistan dhe duke akuzuar Islamabadin për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. Janë shfaqur videoklipe të protestës që tregojnë njerëz që vrapojnë ndërsa u dëgjuan breshëritë e armëve. Nuk ka asnjë raport të menjëhershëm për viktima. Ka raporte se forcat pakistaneze kanë sulmuar me dronë forcat e Frontit të Rezistencës në Luginën Panjshir, në një tentativë për të ndihmuar talebanët të marrin kontrollin e këtij rajoni. Talebanët të hënën thanë se nuk do të lejojnë Pakistanin ose ndonjë vend tjetër të ndërhyjë në punët e brendshme të Afganistanit. Islamabadi dihet se ka pasur lidhje të ngushta me udhëheqësit talebanë në të kaluarën. Shqetësimet mbi ndërhyrjen e Pakistanit u ringjallën pas raporteve se shefi i inteligjencës pakistaneze Faiz Hamid ishte takuar me Mullah Abdul Ghani Baradar në Kabul javën e kaluar në një vizitë të paparalajmëruar. Që kur talebanët morën pushtetin më 15 gusht, afganët kanë organizuar demonstrata të vogla në disa qytete duke përfshirë Kabul, Herat dhe Mazar-i-Sharif, për të shprehur protestën e tyre kundër kthimit të grupit taleban në pushtet, pas 20 vitesh të pushtimit amerikan.