Blinken: Talebanët duhet të mbajnë përgjegjësi për terrorizmin
https://parstoday.ir/sq/news/world-i113926-blinken_talebanët_duhet_të_mbajnë_përgjegjësi_për_terrorizmin
Gjatë një takimi me përfaqësuesit e vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara, Sekretari amerikan i Shtetit u bëri thirrje talebanëve të mbajnë përgjegjësi për terrorizmin dhe të sigurojnë që Afganistani të mos bëhet një bazë terroriste.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Shtator 09, 2021 07:55 Europe/Tirane
  • Blinken: Talebanët duhet të mbajnë përgjegjësi për terrorizmin

Gjatë një takimi me përfaqësuesit e vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara, Sekretari amerikan i Shtetit u bëri thirrje talebanëve të mbajnë përgjegjësi për terrorizmin dhe të sigurojnë që Afganistani të mos bëhet një bazë terroriste.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken u takua të mërkurën mbrëma me ministrat e jashtëm të vendeve aleate të Uashingtonit për të diskutuar mbi Afganistanin dhe krizën e shkaktuar nga largimi i nxituar i SHBA. Në takim morën pjesë Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mass dhe përfaqësues nga Australia, Bahrejni, Kanadaja, Franca, India, Italia, Japonia, Kuvajti, Norvegjia, Pakistani, Katari, Koreja e Jugut, Arabia Saudite, Spanja, Taxhikistani, Turqia dhe Turkmenistani. Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania, Uzbekistani, Bashkimi Evropian, NATO dhe Kombet e Bashkuara ishin të pranishëm. Në takim, Blinken u bëri thirrje aleatëve të Uashingtonit që të bashkohen për të adresuar krizën e mundshme humanitare në Afganistan dhe për të mbajtur talebanët përgjegjës për terrorizmin. Sekretari i Shtetit gjithashtu u bëri thirrje talebanëve që të angazhohen për lirinë e largimit të afganëve që kërkojnë të largohen nga vendi, të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse dhe të respektojnë të drejtat themelore të popullit afgan. "Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përdorin mjete politike, ekonomike dhe diplomatike për të mbrojtur të drejtat e popullit afgan, veçanërisht grave dhe vajzave, si dhe për të siguruar që Afganistani të mos bëhet bazë për terroristët," përfundoi Departamenti i Shtetit. Të martën, më shumë se 20 ditë pasi talebanët morën kontrollin e Kabulit, zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid në një konferencë shtypi njoftoi kabinetin e ri të qeverisë afgane. Kabineti i përkohshëm udhëhiqet nga Mulla Mohammad Hassan Akhund, i cili bën pjesë  në listën e zezë të OKB -së. Ndërkohë një tjetër terrorist, ministri i Brendshëm Siraxhuddin Hakani, kërkohet nga FBI e cila e ka rritur në 10 milion $ shpërblimin për kapjen e tij. SHBA shprehu shqetësimin, pasi talebanët shpallën  qeverinë e re të Afganistanit, të përberë vetëm nga meshkuj dhe me figura të lidhura me sulmet ndaj forcave amerikane. Në një deklaratë , Departamenti Amerikan i Shtetit tha: "Ne vërejmë se lista e shpallur e emrave përbëhet ekskluzivisht nga individë që janë anëtarë të talebanëve ose bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë, midis tyre asnjë grua. Gjithashtu jemi të shqetësuar nga përkatësitë dhe dosjet e disa prej individëve." Departamenti  i Shtetit shtoi se Amerika do të "gjykojë talebanët nga veprimet e tyre, jo nga fjalët". "Përsërisim pritshmërinë tonë të qartë që talebanët të sigurojnë që toka afgane të mos përdoret për të kërcënuar vende tjera," thuhet në deklaratë.