Franca kërcënon Anglinë: Na goditët pabesisht, prisni përgjigjen!
Pakti për mbrojtjen e Indo-Paqësorit nga Kina mbetet një nismë e kundërshtuar fort nga Franca. Marrëveshja e ka futur vendin në tension diplomatik me tri aleatët e saj, SHBA-në, Australinë dhe Britaninë e Madhe.
Zemërimit të Francës nga pakti AUKUS, ende nuk i duket fundit. Ministrja franceze e mbrojtjes Florence Parly, anuloi një takim me homologun e saj britanik, Ben Wallace pas zemërimit që shkaktoi marrëveshja e fshehtë e sigurisë ndërmjet Britanisë, SHBA-së dhe Australisë. Takimi duhet të mbahej këtë javë në Londër. Me marrëveshjen Aukus që u arrit javën e kaluar, SHBA-ja dhe Britania e Madhe do ti sigurojnë Australisë teknologjinë për të ndërtuar për të parën herë nëndetëse me energji bërthamore. Parisi është i zemëruar, pasi me paktin Aukus, Australia i dha fund një kontrate me Francën për ndërtimin e 12 nëndetëseve konvencionale. Pakti i nënshkruar javën e kaluar erdhi befas për Francën dhe është pritur me rezerva edhe nga Zelanda e Re e cila bën pjesë në rajonin që tre aleatët duan ta sigurojnë nga kërcënimi kinez. Pekini vetë e ka qortuar nismën duke e konsideruar atë reminishencë të Luftës së Ftohtë.