Talebanët kërkojnë të mbajnë fjalim në Asamblenë e OKB-së
(last modified Wed, 22 Sep 2021 18:56:57 GMT )
Shtator 22, 2021 20:56 Europe/Tirane
  • Talebanët kërkojnë të mbajnë fjalim në Asamblenë e OKB-së

Disa javë pasi e morën pushtetin në Afganistan, talebanët kanë kërkuar që t’u drejtohen liderëve botërorë me një fjalim në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila po i zhvillon punimet vjetore këtë javë në Nju Jork.

Kërkesa e talebanëve është konfirmuar nga Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Kërkesa e talebanëve u bë përmes një letre drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres. Përveç kërkesës për pjesëmarrje në mbledhjen vjetore të OKB -së, në letër thuhej se talebanët po nominonin një përfaqësues të ri të përhershëm në OKB, Mohammad Suhail Shaheen. Shaheen ka qenë një zëdhënës i talebanëve gjatë negociatave të paqes në Katar. Ende nuk dihet se si do të vendos për kërkesën e talebanëve një panel i OKB-së që merret me këto çështje, pjesë e të cilit janë edhe Shtetet e Bashkuara. Letra e talebanëve drejtuar Guterres tha se ish -presidenti afgan Ashraf Ghani ishte “rrëzuar” që nga 15 gushti dhe se vendet në të gjithë botën “nuk e njohin më atë si president”. Prandaj ambasadori aktual i akredituar afgan, Ghulam Isaczai, nuk e përfaqëson më Afganistanin.

 

Tags