Vazhdojnë tensionet Turqi-Rusi
Për herë të parë, presidenti turk ka akuzuar publikisht Rusinë për pushtimin e Krimesë.
Edhe pse Turqia pretendon se ka marrëdhënie të mira me Rusinë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duke folur para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e ka akuzuar Rusinë për pushtimin e Krimesë. Erdogan theksoi se Ankaraja nuk ka ndërmend të njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe se ajo përkrah integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Këto deklarata të presidentit turk ngrenë pyetjen nëse Turqia është vërtet një partner i Moskës; sepse ato rrezikojnë të shkaktojnë sanksione të reja kundër Rusisë.Këto deklarata të Erdogan nuk i kanë pëlqyer aspak Rusisë, e cila siç duket synon të shprehë zemërimin e saj në Siri. Në Siri, trupat turke do të duhet të tërhiqen nga provinca Idlib, ku Rusia dhe ushtria siriane do të fillojnë një operacion ushtarak në shkallë të gjerë deri në fund të këtij muaji. Raportet e qarkulluara më parë se Turqisë iu dha një ultimatum u konfirmuan përfundimisht nga ushtria siriane. Një operacion ushtarak mund të fillojë së pari për të marrë kontrollin e qytetit Idlib. Në orët e fundit, trupat siriane kanë kryer dhjetëra sulme artilerie në pozicionet e terroristëve në Idlib, ndërsa Rusia po bombardon bastionet e terroristëve në zonat malore, duke i detyruar ata të ikin në veri të Idlibit. Për më tepër, një anije luftarake ruse u dërgua në Siri me armë të rënda në bord. Këtë të mërkurë, 22 shtator, vëzhguesit turq vunë re anijen zbarkuese ruse Caesar Kunikov, që i përkiste Brigadës së 197 të Flotës së Detit të Zi, e cila po kalonte Bosforin drejt Detit Mesdhe. Anija ruse mund të mbante armë të rënda në bord, të destinuara për operacionin ushtarak që do të nisë në provincën siriane të Idlibit. Pavarësisht mungesës së deklaratave zyrtare, ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që mbërritja e fundit e katër nëndetëseve të armatosura me raketa Caliber në bazën detare të Rusisë në Tartus është e lidhur me operacionin e ardhshëm në Idlib.