Fitorja e SPD dhe horizonti i ri i Gjermanisë
Pas 16 vitesh të Angela Merkelit në kancelari, Gjermania mund të thuhet se vlerëson udhëheqësit që konsiderohen si të fortë dhe të qëndrueshëm.
Sipas mediave, pretendenti kryesor në zgjedhjet e vendit, Olaf Scholz, ka mbështetje gjatë përpjekjes së tij për t’u bërë pasardhësi i natyrshëm i udhëheqëses në largim – pavarësisht se ishte nga një parti tjetër. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se një numërim i të gjitha 299 zonave zgjedhore tregoi se SPD fitoi me 25.8% në raport me bllokun e Unionit me 24.1%. Asnjë parti fituese në zgjedhjet kombëtare gjermane nuk ka marrë më parë më pak se 31% të votave dhe grupet tani do të kenë nevojë të negociojnë një qeveri koalicioni. Ndryshimi ka ndodhur. Vota e gjermanëve është e qartë: T'u jepet fund kompromiseve minimale të „koalicionit të madh". Të hapet rruga për detyra të mëdha si mbrojtja e klimës, dixhitalizimi dhe modernizimi i nevojshëm i Gjermanisë. Ndonëse me fitore të ngushtë, Olaf Scholz ia doli të rikuperojë në mënyrë të pashembullt pozicionin e SPD-së. Socialdemokratët në sondazhe luhateshin në fillim të fushatës pjesërisht deri tek 12 përqind. Partia popullore e dikurshme dukej se ishte përtokë. Olaf Scholz ia doli kthesës. Megjithatë se çfarë synon ai personalisht, çfarë është e rëndësishme për të, kjo mbeti e paqartë. Ai të le përshtypjen si një lloj "Merkel 2.0". Tek ai mund të mbështetesh, është profesionist dhe pa emocione të mëdha. Kjo duket se u ka pëlqyer zgjedhësve. Nëse ai do të bëhet kancelari i ardhshëm, duhet të hyjë shpejt në bisedime me të gjelbërit dhe liberalët. Krijimi i një koalicioni me ta është qëllimi i tij. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Sepse atij do t'i duhet t'u bëjë lëshime partive më të vogla lidhur me politikën për klimën ose atë fiskale. Rezultati është ende i paqartë, por gjermanët nuk e duan vazhdimin e politikës së Angela Merkel-it. Pushteti dhe influenca e partive të mëdha CDU dhe SPD krahasuar me kohët e mëparshme është tkurrur ndjeshëm. Politika gjermane po bëhet më e larmishme. Ky është një shans i madh për trajtimin e temave të së ardhmes.