Biden merr dozën e tretë të vaksinës
Presidenti i SHBA-së Joe Biden mori sot dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19.
Biden e bëri këtë disa ditë pasi rregullatorët federal rekomanduan dhënien e një doze të tretë të vaksinës Pfizer për amerikanët mbi moshën 65-vjeç dhe ata me sëmundje shtesë. “Gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë është të vaksinojmë më shumë njerëz,” tha Biden para se të merrte dozën e tretë të vaksinës, duke shtuar se ai nuk kishte efekte anësore pas vaksinimit të parë dhe të dytë, raporton AP. Biden, 78-vjeç, mori dozën e parë të vaksinës më 21 dhjetor, dhe dozën e dytë tri javë më vonë më 11 janar, së bashku me gruan e tij Jill Biden. Ai tha se gruaja e tij së shpejti do të merrte dozën e tretë. Gati 2.66 milionë amerikanë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës Pfizer që nga mesi i gushtit, raportuan Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Ndërkohë, ka shkuar në mbi 687 mijë numri i viktimave nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas universitetit John Hopkins, me 646 vdekjet gjatë 24 orëve të fundit, numri total i viktimave nga Covid-19 shkoi në 687 mijë e 752.