Shpërthim vdekjeprurës pranë një xhamie në Kabul
Një shpërthim jashtë një xhamie në Kabul të Afganistanit ka shkaktuar viktima në mesin e civilëve afganë, tha një zyrtar taleban.
“Një shpërthim tronditës ndodhi në një tubim civilësh pranë hyrjes së Xhamisë Eidgah në Kabul këtë pasdite, për fat të keq duke lënë një numër civilësh të vdekur”, shkroi në Twitter, zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid. Kryesuesi i Departamentit të Shtypit dhe Marrëdhënieve me Publikun në Ministrinë e Brendshme të Qeverisë së udhëhequr nga talebanët, Sayed Khosty, tha se dy persona u vranë dhe dy u plagosën. Khosty tha se tre persona ishin arrestuar në lidhje me sulmin. Ende është e paqartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin dhe ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë. Disa shpërthime kanë ndodhur në pjesë të ndryshme të Afganistanit gjatë periudhës së fundit për të cilat përgjegjësinë e ka marrë grupi ekstremist ISIS i cili në Afganistan vepron si ISIS-Khorasan (IS-K). Pak më shumë se një muaj qëkur rrëzuan nga pushteti Qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul, sunduesit e rinj të Afganistanit, talebanët, tani po përballen me armikun e brendshëm, i cili po përdor shumë taktika të sulmeve të cilat i kanë praktikuar vetë talebanët. Talebanët dhe militantët e IS-K janë rivalë dhe kanë luftuar mes vete edhe para se talebanët të merrnin kontrollin e Afganistanit në gusht, teksa trupat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, u tërhoqën nga vendi. Shumica e analistëve, si dhe Kombet e Bashkuara, vlerësojnë se ISIS-K ka më pak se 2,000 luftëtarë, krahasuar me 100,000 sa kanë në dispozicion talebanët.