Tensionohen marrëdhëniet Francë-Algjeri
Algjeria ka ndaluar hyrjen e avionëve ushtarakë francezë në hapësirën e saj ajrore, tha ushtria franceze, ndërsa tensionet po rriten për shkak të mosmarrëveshjeve për vizat dhe komenteve kritike nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
"Këtë mëngjes kur paraqitëm planet e fluturimit për dy aeroplanë, mësuam se algjerianët kishin ndaluar fluturimet e aeroplanëve ushtarakë francezë mbi territorin e tyre," tha të Dielën koloneli Pascal Ianni, një zëdhënës i Ushtrisë Franceze. Avionët ushtarakë francezë përdorin rregullisht hapësirën ajrore algjeriane për të arritur në brezin Sahelo-Saharian në Afrikën perëndimore, ku trupat franceze janë vendosur për të ndihmuar në luftën kundër terroristëve takfiristë si pjesë e operacionit të vazhdueshëm shtatë vjeçar të njohur si Barkhane. Ianni shtoi se vendimi i qeverisë algjeriane "nuk ndikon në operacionet tona ose misionet e inteligjencës" të kryera në rajonin Sahel. Ish-presidenti algjerian Abdelaziz Buteflika lejoi avionët ushtarakë francezë të përdorin hapësirën ajrore të Algjerisë për të kryer operacionin anti-kryengritës në Sahel. Vendimi i ushtrisë algjeriane do të ketë një ndikim të madh në operacionin e drejtuar nga francezët dhe gjithashtu do të ngadalësojë bashkëpunimin ushtarak franko-algjerian në javët e ardhshme. Zhvillimi erdhi një ditë pasi Ministria e Jashtme e Algjerisë tërhoqi ambasadorin e saj nga Parisi për konsultime, duke cituar "ndërhyrje të papranueshme" në punët e brendshme të vendit të Afrikës së Veriut. Thuhet se Macron u kishte thënë pasardhësve të figurave të luftës së Algjerisë për pavarësi se Algjeria ishte e sunduar nga një "sistem politiko-ushtarak" që kishte "rishkruar plotësisht" historinë e saj. "Ju mund të shihni se sistemi algjerian është i lodhur, është dobësuar nga Hirak," shtoi ai, duke iu referuar lëvizjes pro-demokracisë që përfundimisht rrëzoi ish- presidentin Buteflika në vitin 2019 pas dy dekadash në krye të shtetit. Qeveria algjeriane tha gjithashtu se një ditë më parë, Ministria e Jashtme e saj kishte thirrur ambasadorin francez Francois Gouyette për të protestuar ndaj vendimit të Francës për të ulur ndjeshëm numrin e vizave për shtetasit algjerianë. Algjeria denoncoi lëvizjen e Parisit si një "vendim të njëanshëm të qeverisë franceze". Qeveria algjeriane gjithashtu e përshkroi kufizimin e vizave si një "akt fatkeq" që shkaktoi "konfuzion dhe paqartësi në lidhje me motivimin dhe qëllimin e tij". Macron ka urdhëruar që numri i vizave për shtetasit algjerianë dhe marokenë të ulet ndjeshëm me 50 për qind në krahasim me vitin 2020. Imigracioni është bërë një çështje e diskutueshme në zgjedhjet presidenciale franceze të planifikuara në prill 2022, me partitë e krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë që sfidojnë politikat e Macron. Presidenti aktual nuk ka thënë ende nëse do të kandidojë për rizgjedhje. Udhëheqësja e së djathtës ekstreme Marine Le Pen tha se do të thërriste një referendum që propozonte kufizime drastike për emigracionin nëse zgjidhet presidente vitin e ardhshëm. Le Pen tha se referendumi do të propozonte kritere strikte për hyrjen në territorin francez dhe për marrjen e shtetësisë franceze.