Luftanijet ruse dhe kineze pranë Japonisë
(last modified Tue, 19 Oct 2021 18:53:52 GMT )
Tetor 19, 2021 20:53 Europe/Tirane
  • Luftanijet ruse dhe kineze pranë Japonisë

Një grup luftanijesh ruse dhe kineze kanë lundruar për herë të parë në një ngushticë që ndan Detin e Japonisë nga Paqësori, ka pohuar Japonia.

Yoshihiko Isozaki, zëvendëssekretari i kabinetit japonez, tha në një konferencë të rregullt për shtyp në Tokio të martën se 10 luftanije nga Kina dhe Rusia kishin lundruar një ditë më parë përmes ngushticës Tsugaru, e cila ndan ishullin kryesor të Japonisë nga ishulli verior Hokkaido. "Qeveria po ndjek nga afër aktivitetet e luftanijeve kineze dhe ruse rreth Japonisë," u tha Isozaki gazetarëve duke shtuar: "Ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos në aktivitetin tonë mbikëqyrës në ujërat dhe hapësirën ajrore rreth Japonisë." Një zëdhënës i Ministrisë japoneze të Mbrojtjes tha se nuk kishte pasur shkelje të ujërave territoriale japoneze dhe asnjë rregull ndërkombëtar nuk ishte shkelur nga kalimi i përbashkët i luftanijeve ruse dhe kineze. Zhvillimi shënoi herën e parë që Japonia konfirmoi kalimin e anijeve kineze dhe ruse që lundronin përmes ngushticës Tsugaru, e cila konsiderohet si territor ndërkombëtar. Marrëdhëniet e Japonisë me Kinën kanë qenë prej kohësh të tensionuara nga pretendimet kontradiktore mbi një grup ishujsh të vegjël të Detit të Kinës Lindore. Tokio gjithashtu ka një mosmarrëveshje territoriale me Moskën për Ishujt Kuril, të vendosur pranë ishullit Hokkaido.

 

Tags