Ministrat e NATO-s diskutojnë për rrezikun nga Rusia
https://parstoday.ir/sq/news/world-i115982-ministrat_e_nato_s_diskutojnë_për_rrezikun_nga_rusia
Ministrat e mbrojtjes të NATO-s pritet të bien dakord për një plan të ri madhor të enjten për t’u mbrojtur kundër çdo sulmi të mundshëm rus nga të gjitha frontet, duke riafirmuar objektivin kryesor të aleancës për të frenuar Moskën, pavarësisht nga një vëmendje në rritje ndaj Kinës.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 21, 2021 17:14 Europe/Tirane
  • Ministrat e NATO-s diskutojnë për rrezikun nga Rusia

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s pritet të bien dakord për një plan të ri madhor të enjten për t’u mbrojtur kundër çdo sulmi të mundshëm rus nga të gjitha frontet, duke riafirmuar objektivin kryesor të aleancës për të frenuar Moskën, pavarësisht nga një vëmendje në rritje ndaj Kinës.

Strategjia konfidenciale, për të cilën njofton agjencia Reuters, parashikon për përgatitjen për sulme të mundshme paralele në rajonet e Baltikut dhe Detit të Zi që mund të përfshijë armë bërthamore, goditje të rrjeteve kompjuterike dhe sulme nga hapësira. Zyrtarët theksojnë se ata nuk besojnë se ekziston ndonjë rrezik urgjent për ndonjë sulm nga Rusia. Moska mohon të ketë synime agresive dhe thotë se është NATO-ja ajo që rrezikon të destabilizojë Evropën me plane të tilla. Por diplomatët thonë se “Koncepti për Parandalimin dhe Mbrojtjen në Zonën Euro -Atlantike” – dhe plani strategjik për zbatimin e tij – është i nevojshëm në kushtet kur Rusia zhvillon sisteme të avancuara armësh dhe vendos trupa dhe pajisje më pranë kufijve të aleatëve. Rusia po përmirëson ose zëvendëson sistemet hapësinore ushtarake sovjetike, po zhvillon teknologji të bazuara në inteligjencën artificiale për t’iu kundërvënë sistemeve komanduese të aleancës dhe po zhvillon të ashtuquajtura “super armë”. Ato përfshijnë raketa hipersonike me aftësi bërthamore që mund të shmangin sistemet e paralajmërimit të hershëm. Gjenerali amerikan në pension Ben Hodges, i cili komandoi forcat e ushtrisë amerikane në Evropë nga viti 2014 deri në vitin 2017, tha për agjencinë Reuters se ai shpresonte që plani të nxiste një koordinim më të mirë në mbrojtjen kolektive të NATO -s, që do të thotë më shumë burime për rajonin e Detit të Zi. “Sipas mendimit tim, kjo është një pikë më e mundshme e nxehtë sesa Baltiku,” tha Hodges. Jamie Shea, një ish-zyrtar i lartë i NATO-s, tha për agjensinë e lajmeve Reuters se plani mund të ndihmojë gjithashtu në rritjen e fokusit tek Rusia në një kohë kur aleatët kryesorë po bëjnë përpjekje të shtojnë praninë e tyre në rajonin Indo-Paqësor dhe t’i kundërvihen fuqisë ushtarake në rritje të Kinës.