Ligjvënësit në SHBA kundër shitjes së F-16 Turqisë
Ligjvënësit amerikanë, demokratë e republikanë, i kërkuan qeverisë së Biden të mos ia shesë avionët F-16 Ankarasë.
Në një letër drejtuar Presidentit Biden e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, njëmbëdhjetë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve shfaqën shqetësim rreth mundësisë që Turqia të blejë 40 avionë F-16 të rinj nga “Lockheed Martin” dhe 80 sete modernizimi për avionët e këtij lloji. “Pas njoftimit të Presidentit Erdogan në shtator se Turqia do të blejë një pjesë të re të sistemeve ruse për mbrojtje raketore, S-400, ne nuk mund ta përballojmë kompromisin ndaj sigurisë sonë kombëtare duke i dërguar avionë të prodhuar në SHBA një aleati të traktatit që vazhdon të sillet si kundërshtar”, thuhet në letër. “Kemi besim se Kongresi do të qëndrojë i bashkuar për të bllokuar eksporte të tilla”, theksohet më tej. “Reuters”, raportoi disa javë më parë se Turqia i ka bërë kërkesë ShBA-së për blerjen e 40 avionëve luftarakë “F-16”. Ankaraja më parë kishte porositur më shumë se 100 avionë F-35 nga “Lockheed Martin”, por Washingtoni e përjashtoi nga programi për prodhimin e tyre në vitin 2019, pasi turqit blenë sistemin rus të mbrojtjes ajrore, S-400.