Edhe 100 mijë të vdekur të tjerë këtë dimër në Gjermani?
Virologu i njohur gjerman, Christian Drosten ka paralajmëruar Gjermaninë.
Nëse vendi nuk bën përpara me vaksinimin, mund të ketë edhe 100.000 të vdekur të tjerë në muajt e ardhshëm, thotë ai. Christian Drosten është një nga virologët më të njohur gjermanë, po ashtu i njohur në botë, dhe fjala e tij mbi pandeminë gjithmonë dëgjohet me vëmendje në Gjermani, ashtu siç edhe ndez debat. Në një podcast të fundit të tij ai ka paralajmëruar Gjermaninë nga “një dimër shumë i vështirë” dhe madje i sheh të mundura edhe kufizimet e kontaktit, shkruan agjencia e lajmeve DPA. Nëse nuk ka sukses në drejtim të vaksinimit, atëherë Gjermania duhet të përgatitet për të paktën 100.000 të vdekur të tjerë nga Corona, “para se të qetësohen ujërat”, tha ai në podcastin javor për NDR. Madje ai e cilëson atë si “një vlerësim të kujdesshëm”. Drosten e merr këtë shifër nga krahasimi me Britaninë e Madhe. Ai thekson: “Ne jemi në një situatë të keqe. Kemi 15 milionë vetë që mund të ishin vaksinuar dhe duhet të ishin vaksinuar.” Rruga për daljen nga kjo situatë është e qartë: “Ne duhet të mbyllim boshllëqet e vaksinimit.”