NATO-ja paralajmëron Rusinë për veprimet ushtarake në kufi me Ukrainën
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë që të jetë “transparente” në lidhje me aktivitetet e saj ushtarake në kufi me Ukrainën.
Bëhet fjalë për praninë e forcave ushtarake ruse në kufi me Ukrainën të cilën ai e quajti si “përqendrim të madh dhe të pazakontë”. Në atë pjesë të Ukrainës – ku gjendet kufiri me Rusinë – që nga prilli i vitit 2014 separatistët e mbështetur nga Kremlini po zhvillojnë luftime me forcat ukrainase. Konflikti ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 13.000 personave. “Çdo provokim i mëtejshëm apo veprim agresiv nga Rusia do të ishte një shqetësim serioz”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, në Bruksel më 15 nëntor, raportojnë mediet e huaja. Lidhur me situatën në Ukrainë, dy ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, diskutoi me homologun e tij francez, Jean-Yves Le Drian. Departamenti i Shtetit tha se ata diskutuan “raportet për aktivitetin ushtarak rus në dhe afër Ukrainës”. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha në një deklaratë më 14 nëntor se Blinken dhe ministri francez ritheksuan angazhimin e fuqishëm të vendeve të tyre për sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë që të mos bëjë një “gabim tjetër serioz” në Ukrainë. Ndërkohë, Pentagoni e quajti “të pazakontë madhësinë dhe shtrirjen” e trupave ruse në kufi me Ukrainën. Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime. Zyrtarët evropianë thanë se po vëzhgonin situatën bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe. Franca në anën tjetër paralajmëroi se çdo veprim agresiv nga Moska do të kishte “pasoja të rënda”. Duhet theksuar se tensionet janë rritur në Evropën Lindore javët e fundit pasi Bashkimi Evropian akuzoi Bjellorusinë se ka organizuar fluturimin e mijëra emigrantëve për të krijuar një krizë humanitare në kufirin e saj me shtetin anëtar të BE-së, Poloninë, një mosmarrëveshje që kërcënon të tërheqë Rusinë dhe NATO-n. Presidenti Vladimir Putin tha të shtunën se stërvitjet e paplanifikuara të NATO-s në Detin e Zi përbënin një sfidë serioze për Moskën dhe se Rusia nuk kishte asnjë lidhje me krizën në kufirin e aleatit të ngushtë, Bjellorusinë me bllokun.