Raste të konfirmuara me Omicron në Britani, Gjermani, Itali dhe Hollandë
Britania, Gjermania, Italia dhe Hollanda zbuluan raste të variantit të ri të koronavirusit Omicron të shtunën dhe kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi masa të reja për të frenuar virusin, ndërsa numri i vendeve që po vendosin kufizime për udhëtimet nga Afrika jugore, po rritet.
Zbulimi i variantit Omicron ka ngjallur shqetësim në gjithë botën, një valë ndalimesh apo kufizimesh në udhëtime dhe një rënie të vlerës së aksioneve në tregjet financiare të premten mes frikës se Omicron mund të pengojë rimëkëmbjen globale nga pandemia gati dyvjeçare. Dy rastet e variantit të ri të zbuluar në Britani ishin të lidhura me udhëtime në Afrikën jugore, tha Sekretari britanik i shëndetësisë Sajid Javid. Kryeministri Johnson paraqiti masa parandaluese mes së cilave rregulla më të rrepta testimi për personat që mbërrijnë në Britani, por ato nuk përfshinin kufizime në aktivitetin shoqëror, përveç detyrimit për të mbajtur maskën në disa mjedise. Ministria e shëndetësisë në shtetin gjerman të Bavarisë njoftoi gjithashtu për dy raste të konfirmuara të variantit. Dy personat kishin hyrë në Gjermani nga aeroporti i Mynihut më 24 nëntor, përpara se Gjermania ta përcaktonte Afrikën e Jugut si zonë nga ku e ka origjinën varianti i virusit dhe tani janë në izolim, tha ministria, duke lënë të kuptohej se personat kishin udhëtuar nga Afrika e Jugut. Në Itali, Instituti Kombëtar i Shëndetit tha se një rast i variantit të ri ishte zbuluar në Milano tek një person që vinte nga Mozambiku. Autoritetet shëndetësore çeke thanë gjithashtu se po shqyrtonin një rast të dyshuar të variantit tek një person që kishte qenë në Namibi. Omicron, i quajtur një “variant shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duket të jetë më ngjitës sesa variantet e mëparshme të sëmundjes, megjithëse ekspertët nuk e dinë ende nëse do të shkaktojë raste më të rënda me COVID-19 në krahasim me variantet e tjera. Varianti u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe më pas ishte identifikuar edhe në Belgjikë, Botsvanë, Izrael dhe Hong Kong.