Avion spiun amerikan mbi Detin e Zi, rusët reagojnë
Një tjetër incident në Detin e Zi e ka vënë në alarm Moskën.
Avionët rusë Su-27 kanë shoqëruar, për disa minuta një avion spiun amerikan RC-135 që po fluturonte në zonë, sipas zyrtarëve rusë. Ky episod vjen në një kohë përshkallëzimi të ndjeshëm të tensioneve dhe frikës së shpërthimit të një lufte. Ndërkohë, Rusia e ka intensifikuar stërvitjen e saj ushtarake në kufi me Ukrainën duke përdorur zjarr të vërtetë. Dy ditë më parë, presidenti amerikan Joe Biden e paralajmëroi hapur Moskën se një sulm i saj mbi vendin e vet fqinj, do të kishte pasoja të forta. Ka shenja se Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini janë pranë zhvillimit të një bisede mes Biden dhe Putin, megjithatë tensionet mbeten të larta ndërsa retorika e Moskës konsiderohet si gjithmonë e më agresive. Me herët, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov e akuzoi Perëndimin se “po luan me zjarrin” duke mos marrë parasysh qëndrimin e Rusisë për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s me vende të ish-Bashkimit Sovjetik. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar që Ukraina t’i bashkohet NATO-s, e cila e ka ruajtur mundësinë e anëtarësimit, por nuk ka përcaktuar një periudhë kohore për këtë.