Dhjetëra të vdekur nga tornadot e shumëfishtë në SHBA
Një tornado dhe një sistem stuhish të shumëfishta kanë mbjellë shkatërrim e vdekje mbrëmë në shtetet amerikane të Arkansas, Kentucky, Tennessee, Missouri e Illinois duke shkatërruar ndërtesa, duke lënë dhjetëra të vrarë e të tjerë të bllokuar në rrënojat e ndërtesave.
Guvernatori i Kentucky Andy Beshear tha se numri i viktimave mund të arrijë mbi 70 njerëz pasi tornadot e stuhitë përfshinë shumicën e territoreve qendrore-perëndimore të SHBA. Në Tennessee, u raportuan dy vdekje nga stuhitë në zonën veriperëndimore, tha zëdhënësi i emergjencave Dean Flener. Numri i viktimave dhe të plagosurve mund të rritet teksa përpjekjet e kërkimit e shpëtimit vazhdojnë. Qendra kombëtare e tornadove dhe e motit ka vijuar me paralajmërimet për tornado në rajon teksa sistemet e rrezikshme atmosferike vijojnë drejt veriut.