Julian Assange pësoi infarkt në tru në një burg britanik
(last modified Sun, 12 Dec 2021 06:00:21 GMT )
Dhjetor 12, 2021 07:00 Europe/Tirane
  • Julian Assange pësoi infarkt në tru në një burg britanik

Themeluesi i faqes informative WikiLeaks ka pësuar një infarkt në tru në një burg britanik.

Sipas Daily Mail, Julian Assange, themeluesi i faqes WikiLeaks, i cili që nga prilli 2019 mbahet në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh në Londër, pësoi një infarkt në tru më 27 tetor. E fejuara e Julian Assange, Stella Morris, tha se infarkti ishte shkaktuar nga stresi i proceseve gjyqësore në vazhdim kundër Assange dhe përkeqësimi i shëndetit të tij të përgjithshëm. Gjatë gjykimit, u raportua se Assange kishte vuajtur nga rënia e qepallës së djathtë si dhe probleme dhe simptoma të dëmtimit të sistemit nervor. Qeveria amerikane të premten fitoi një apel në një gjykatë në Londër, duke lejuar ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange nga Britania, dhe qeveria britanike tani duhet të ekstradojë Assange në Uashington. Julian Assange kërkohet nga Shtetet e Bashkuara me akuzën e spiunazhit për zbulimin e dokumenteve të klasifikuara, duke përfshirë dokumente për Irakun, Afganistanin dhe Guantanamon, dhe mund të përballet me deri në 175 vjet burg nëse ekstradohet në Shtetet e Bashkuara.

 

Tags