Pekini: Amerika e mat demokracinë me metrin e saj
Kina ka denoncuar Shtetet e Bashkuara për matjen e demokracisë me metrin e vet dhe për vendosjen nëse një vend është demokratik apo jo bazuar në modelin e vet.
SHBA mbajti një "Samit për Demokracinë" të enjten dhe të premten me një qëllim të deklaruar për t'u fokusuar në "rinovimin e demokracisë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën". Uashingtoni ftoi 100 vende, por përjashtoi Kinën dhe Rusinë, duke akuzuar qeveritë e tyre për autokraci. Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, denoncoi Shtëpinë e Bardhë për matjen e demokracisë me metrin e vet, duke theksuar se Uashingtoni është një "shkatërrues" i demokracisë në vend që të jetë "mbrojtësi" i saj. “Kam vënë re se ka raportime në media se komuniteti ndërkombëtar i dha një reagim të ftohtë “samitit”. Videot e 'samitit' mezi janë parë në platformat e rrjeteve sociale. Përkundrazi, ato që tregojnë SHBA-në duke shkuar për ndërhyrje ushtarake dhe duke vrarë civilë të pafajshëm në emër të demokracisë janë bërë virale në internet”, tha zyrtari kinez në një konferencë për shtyp. “Kjo tregon edhe një herë se ndjekja e interesave të saj nga SHBA nën flamurin e demokracisë nuk gjen mbështetje. 'Samiti për Demokraci' saktësisht e tregoi natyrën e vërtetë të SHBA-së si shkatërruese e demokracisë, ndërsa ia hoqi maskën si një mbrojtëse e demokracisë, "tha Wang. Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjitha vendeve anembanë botës që të punojnë së bashku për t'u përballur me çështjet globale, në mënyrë që të ecin përpara në formimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për të gjithë njerëzit e botës.