Rusia del nga Pakti për Qiejt e Hapur
Shefi i delegacionit të Rusisë në negociatat për siguri dhe kontrollin e armatimeve në Vjenë ka deklaruar se Rusia do të dalë nga Pakti për Qiejt e Hapur.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se Konstantin Gavrilov sot (të premten) në një intervistë me gazetën ruse “Izvestia”, vuri në dukje faktin se Rusia ka në dispozicion satelitë nëpërmjet të të cilëve mund të vëzhgojë lëvizjen dhe dislokimin e forcave ushtarake në territorin e Amerikës dhe në vendet evropiane dhe këto mjete mund ta zëvendësojnë Paktin për Qiejt e Hapur, ndërsa shtoi se në bazë të kësaj, tanimë nuk ka nevojë të qëndrojmë në këtë pakt dhe ditën e shtunë do të deklarojmë daljen zyrtare nga ky pakt.
Sipas këtij burimi, shefi i delegacionit të Rusisë në bisedimet për siguri dhe kontrollim të armatimeve në Vjenë ka thënë: “Fati i këtij pakti ka mbetur në duart e vendeve të tjera që kanë mbetur në të, mirëpo dalja e Amerikës dhe Rusisë nga Pakti për Qiejt e Hapur nuk është në interes të sigurisë së Evropës”.
Vlen të theksohet se Pakti për Qiejt e Hapur është një marrëveshje e nënshkruar mes 34 vendeve të botës në vitin 2002 dhe lidhet me lejimin e fluturimit të avionëve të spiunazhit mbi qiejt e vendeve anëtare të këtij pakti. Ky pakt konsiderohet rezultat i një prej përpjekjeve më të mëdha ndërkombëtare të bëra për transparencë në veprimet ushtarake. Amerika më 22 nëntor të vitit 2020, zyrtarisht deklaroi daljen nga Pakti i Qiejve të Hapur.
Rusia pas daljes së Amerikës nga ky pakt, për disa muaj ka bërë përpjekje të inkurajojë kthimin e SHBA-ve në Paktin e Qiejve të Hapur, mirëpo nuk ka marrë kurrfarë përgjigje dhe në fund gjashtë muaj më parë ka filluar fazat për daljen nga ky pakt në bazë të rekomandimeve të kësaj marrëveshje ndërkombëtare.