Kina denoncon "bullizmin ekonomik" të SHBA-së
https://parstoday.ir/sq/news/world-i119666-kina_denoncon_bullizmin_ekonomik_të_shba_së
Kina ka shprehur "pakënaqësi dhe kundërshtim të fortë" ndaj një ndalimi të importeve të SHBA nga rajoni Xinjiang dhe ka akuzuar administratën e Presidentit Joe Biden për "shantazh ekonomik" kundër Pekinit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 25, 2021 16:24 Europe/Tirane
  • Kina denoncon

Kina ka shprehur "pakënaqësi dhe kundërshtim të fortë" ndaj një ndalimi të importeve të SHBA nga rajoni Xinjiang dhe ka akuzuar administratën e Presidentit Joe Biden për "shantazh ekonomik" kundër Pekinit.

Biden miratoi të enjten një masë të Kongresit që vendos sanksione ndaj Kinës për abuzime të dyshuara të të drejtave të njeriut kundër banorëve në rajonin Xinjiang. Legjislacioni, i quajtur Akti për Parandalimin e Punës së Detyrueshme të Ujgurëve, u miratua nga Senati javën e kaluar, duke ndaluar importet nga rajoni i Xinjiang-ut, nëse bizneset nuk mund të provojnë se janë prodhuar pa punë të detyruar, duke synuar abuzimet e supozuara të të drejtave të njeriut kundër muslimanëve ujgurë në këtë zonë. Ministria e Tregtisë e Kinës e përshkroi veprimin e SHBA si "shantazh ekonomik" dhe hodhi poshtë akuzat për "gjenocid" në rajonin e Xinjiang si gënjeshtra të pabaza, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Zhao Lijian tha se masa e SHBA-së "denigron në mënyrë dashakeqe situatën e të drejtave të njeriut në Xinjiang të Kinës, duke shpërfillur faktet dhe të vërtetën". Pekini ka thënë se Shtetet e Bashkuara "nuk kanë skrupuj për të njollosur Kinën me çdo mjet". “Veprimet e SHBA minojnë seriozisht parimet e ekonomisë së tregut dhe rregullat ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare dhe dëmtojnë seriozisht interesat e institucioneve dhe ndërmarrjeve kineze”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin.