Rekord infeksionesh në SHBA
Më shumë se një vit pas daljes së vaksinave kundër Covid-19, rastet e reja të infeksioneve në Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një rekord të ri me një mesatare ditore prej 265 mijë rastesh, kryesisht për shkak të variantit shumë të transmetueshëm Omicron.
Rastet e reja ditore janë dyfishuar në dy javët e fundit. Rekordi i mëparshëm ka qenë në janar të këtij viti me 250 mijë raste në ditë. Numri i amerikanëve të shtruar në spital është rreth 60 mijë, ose sa gjysma e shifrave të janarit. Gjendja në spitale mund të jetë një pasqyrim i ndikimit të vaksinave, si dhe mundësisë që variant Omicron nuk shoqërohet me simptoma të rënda. Rastet e vdekjeve janë shtuar gjatë dy javëve të fundit, nga 1200, në një 1500 në ditë. E njëjta gjendje e rëndë po vihet re edhe në Evropë. Disa vende si Franca, Greqia, Britania dhe Spanja kanë shënuar nivele rekord infeksionesh këtë javë.