Stuhia e dimrit paralizon SHBA-në
Pas një periudhe festive të shënuar nga temperatura jashtëzakonisht të buta, Uashingtoni dhe rajoni më gjerë po përballen me një stuhi dimërore, me borën që ka çuar në mbylljen e shërbimeve shtetërore, shkollave, vonesave të autobusëve, duke shkaktuar probleme edhe në transportin ajror.
Reshjet e borës arritën të paktën 18 cm në kryeqytetin e SHBA-ve dhe mund të rriten deri në 25 cm , paralajmëruan shërbimet meteorologjike, duke vënë qytetin, si dhe shtetin fqinj të Virxhinias, në gatishmëri për një stuhi dimërore. Stuhia e dimrit, e cila përfshiu pjesën më të madhe të bregut lindor të Shteteve të Bashkuara, me erëra të forta që shoqërojnë reshjet e dendura të borës, mund të shkaktojë gjithashtu "stuhi bore" dhe "përmbytje" të mundshme, thanë ekspertët. Të paktën 440,000 familje u zhytën në errësirë në Virxhinia dhe 76,000 në Maryland fqinj, pasi pemët ranë në linjat e tensionit të lartë për shkak të peshës së borës.