Biden fajëson Trump për trazirat e 6 janarit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i120288-biden_fajëson_trump_për_trazirat_e_6_janarit
Presidenti Joe Biden fajësoi sot hapur parardhësin e tij Donald Trump për ngjarjet e 6 janarit dhe për pasojat e pretendimeve të tij për zgjedhjet tek demokracia amerikane.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Janar 06, 2022 19:54 Europe/Tirane
  • Biden fajëson Trump për trazirat e 6 janarit

Presidenti Joe Biden fajësoi sot hapur parardhësin e tij Donald Trump për ngjarjet e 6 janarit dhe për pasojat e pretendimeve të tij për zgjedhjet tek demokracia amerikane.

Në një fjalim në një vjetorin e sulmit më të rëndë ndaj Kapitolit që prej 200 vjetësh, Presidenti Biden theksoi nevojën e mbrojtjes së vlerave demokratike. Ai e mbajti fjalimin të enjten pikërisht në ndërtesën e Kongresit, një zgjedhje që e nxirrte edhe më shumë në pah simbolikën e komenteve të tij.  Një vit pas sulmit të 6 Janarit, Presidenti Biden foli pa doreza duke bërë plotësisht përgjegjës për ngjarjen, ish-Presidentin Trump. “Për herë të parë në histori një president jo vetëm i humbi zgjedhjet , por u përpoq të parandalonte transferimin paqësor të pushtetit, ndërsa një turmë e dhunshme, hyri me forcë në Kapitol. Por ata dështuan, dështuan”, tha ai. Ai e akuzoi Trumpin, të cilin nuk e përmendi asnjëherë me emër se “ka thurur dhe përhapur një rrjet gënjeshtrash rreth zgjedhjeve të vitit 2020. “Ai e ka bërë këtë sepse vë pushtetin mbi parimet, sepse ai e konsideron interesin e tij si më të rëndësishëm sesa interesin e Amerikës. Dhe sepse për të, egoja e tij e lënduar është më e rëndësishme sesa demokracia ose Kushtetuta jonë”, tha presidenti Biden. Presidenti e fajësoi zotin Trump për nxitjen e trazirave më 6 janar, që shkaktuan vdekjen e pesë vetëve dhe më shumë se 130 të plagosurve. Turma që ndërmori sulmin para një viti, u nis drejt Kapitolit pas një fjalimi para Shtëpisë së Bardhë nga ish-Presidenti Donald Trump.