Ish-ministrja britanike: Më hoqën se isha myslimane
Ish-ministrja e Transportit në Britani të Madhe, Nusrat Ghani, deklaroi se një koleg i partisë i kishte thënë se personave të caktuar (deputetë) u është dukur e papërshtatshme se një ministre është myslimane.
Ghani që aktualisht është pjesë e partisë Konservatore që është në pushtet, në vitin 2020 ishte shkarkuar nga posti i ministres së Transportit. Sipas saj, një prej kolegëve gjithashtu deputet, identitetin e të cilit nuk e ka zbuluar, i kishte thënë se ekziston çështja e “myslimanizmit”. Asaj më konkretisht i është thënë se një numri të caktuar të deputetëve një gjë e tillë u është dukur e papërshtatshme – pra që një ministre është myslimane. Përveç kësaj, kolegu i kishte thënë se nuk është mjaftueshëm besnike në parti, pasi nuk po bën mjaftueshëm për ta mbrojtur partinë sa i përket akuzave për islamofobi. Më herët Sunday Times ka raportuar se ato fjalë ajo i kishte pranuar si një “goditje në bark”, duke pranuar se është ndjerë e poshtëruar dhe pa kurrfarë ndihme. Madje ajo tha se ishte paralajmëruar se nëse një gjë të tillë e ngre si çështje, kjo do të nënkuptonte që karriera dhe reputacioni i saj do të shkatërrohej. Tani Nusrat Ghani po shqyrton mundësinë të jep dorëheqja nga posti i deputetes, duke theksuar se besimi i saj ka humbur në partinë Konservatore.