Papa i shqetësuar për krizën në Ukrainë
Papa Françesku ka bërë thirrje për një ditë ndërkombëtare “të lutjeve për paqe” më 26 janar, që të ndalet kriza në Ukrainë.
Ai po ashtu bëri thirrje që bisedimet politike të kenë në fokus “vëllazërinë njerëzore në vend të interesave partiake”. “Po ndjek me shqetësim rritjen e tensioneve që kërcënojnë të shkaktojnë një goditje të re të paqes në Ukrainë dhe të vënë në pikëpyetje sigurinë në Evropë, që mund të ketë edhe pasoja më të gjera”, tha Papa më 23 janar. Vatikani nuk dha ndonjë detaj se si Papa do ta shënojë ditën ndërkombëtare për lutje për paqe për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë paralajmëruar se grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse në kufi me Ukrainën mund të jetë përgatitje për një pushtim të mundshëm të Ukrainës. Moska, që ka mohuar se po planifikon ta pushtojë Ukrainën, ka kërkuar garanci nga NATO, që do të ndalonte anëtarësimin e ish-shteteve sovjetike, siç është Ukraina, në këtë aleancë ushtarake. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të shtunën se ka autorizuar vendet baltike, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë që të dërgojnë në Ukrainë raketa anti-tank dhe anti-ajrore të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, një lëvizje që vjen në mes të tensioneve në rritje të Ukrainës me Rusinë. Miratimi për dërgesat e armëve erdhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, nuk arritën ndonjë përparim në lidhur me Ukrainën në takimin e nivelit të lartë, përveç premtimit se do të vazhdojnë bisedimet. Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov u takuan për rreth një orë e gjysmë në Gjenevë, por asnjëri prej tyre nuk ndryshoi qëndrim lidhur me çështjet thelbësore. Gjithashtu, rreth 90 tonë të “ndihmës vdekjeprurëse” të Shteteve të Bashkuara ka arritur në Ukrainë, teksa tensionet janë të larta për shkak të grumbullimit të ushtrisë ruse përgjatë kufirit me Ukrainën. Kjo ishte dërgesa e parë e pakos së ndihmës të miratuar së fundmi nga ushtria amerikane për Ukrainën, ku përfshihen edhe municione për “mbrojtësit në vijën e parë” të frontit. Presidenti amerikan Joe Biden, në dhjetor miratoi një pako të ndihmës së sigurisë në vlerë prej 200 milionë dollarësh.