Ambasadori rus në BE: Nuk kemi ndërmend ta pushtojmë Ukrainën
https://parstoday.ir/sq/news/world-i121462-ambasadori_rus_në_be_nuk_kemi_ndërmend_ta_pushtojmë_ukrainën
Ambasadori rus në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, ka këmbëngulur se vendi i tij nuk ka në plan të pushtojë Ukrainën, pavarësisht pranisë ushtarake në kufi.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Janar 27, 2022 10:51 Europe/Tirane
  • Ambasadori rus në BE: Nuk kemi ndërmend ta pushtojmë Ukrainën

Ambasadori rus në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, ka këmbëngulur se vendi i tij nuk ka në plan të pushtojë Ukrainën, pavarësisht pranisë ushtarake në kufi.

“Rusia nuk ka plan të pushtojë Ukrainën apo vende të tjera. Është një bllof i krijuar jo në Rusi, por në ato vende që tani po përhapin këtë mesazh histerik, në të gjithë Evropën dhe në botë”.

Ambasadori rus foli edhe për sanksionet e mundshme që Perëndimi po shqyrton kundër Moskës, ndër to është edhe pezullimi i gazsjellësit Nord Stream 2. Por ambasadori thotë se Rusia mund të gjejë tregje të tjera për gazin e saj natyror.

“Unë mendoj se konsumatorët evropianë duhet të jenë të parët që duhet të shqetësohen. Sepse atyre do tu mungojë gazi, i cili është relativisht i lirë. Dhe duhet të gjejnë mjete të tjera për të ngrohur shtëpitë e tyre. Dimri nuk ka përfunduar ende”.

Nga këndvështrimi i tij, faji i takon NATO-s, dhe jo Rusisë, për mospërmbushjen e garancive të sigurisë, të dakorduara verbalisht pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Chizhov thotë se vendi i tij po punon për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën.