Trump shfrytëzon krizën në Ukrainë për të shtuar presionin ndaj Biden
https://parstoday.ir/sq/news/world-i121680-trump_shfrytëzon_krizën_në_ukrainë_për_të_shtuar_presionin_ndaj_biden
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump tha se kriza ukrainas-ruse është një problem evropian dhe se Rusia, siç tha ai, zotëron Gjermaninë për shkak të gazsjellësit Nord Stream 2.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Janar 30, 2022 15:55 Europe/Tirane
  • Trump shfrytëzon krizën në Ukrainë për të shtuar presionin ndaj Biden

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump tha se kriza ukrainas-ruse është një problem evropian dhe se Rusia, siç tha ai, zotëron Gjermaninë për shkak të gazsjellësit Nord Stream 2.

“Evropa duhet të përfshihet plotësisht. Gjermania ka rënë dakord me Rusinë për gazsjellësin dhe Nord Stream 2 është një katastrofë”, pohoi republikani. Sipas Trump, tubacioni është gjëja më idiote që ka parë ndonjëherë. Ai pretendon se Gjermania do të marrë të paktën 70 për qind të energjisë së saj nga Rusia. “Kjo do të thotë se Rusia i kontrollon ata, Rusia zotëron Gjermaninë. Ata marrin energji nga Rusia, kështu që Rusia ka kontroll të plotë mbi Gjermaninë dhe Gjermania thotë, ‘Epo, ne nuk duam t’i luftojmë ata. Unë nuk mund t’i luftoj ata për shkak të kësaj me energjinë’”, tha ai. Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës akuzoi presidentin aktual, Joe Biden për inkurajimin e Rusisë për të pushtuar Ukrainën. Megjithatë, ai nuk mendon se pushtimi do të ndodhë, por se bëhet fjalë ekskluzivisht për negociata. Trump tha në fillim të kësaj jave se kriza ruso-ukrainase nuk do të ishte përshkallëzuar nëse ai do të ishte president. Ndërkohë, Biden ka pohuar se Rusia do ta pësojë rëndë në rast të një sulmi ndaj Ukrainës. Por a po bëhet ‘zhurmë për asgjë’ mbi krizën aktuale Ukrainë-Rusi? Të premten, presidenti ukrainas, Volodymur Zelensky i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos krijojë panik për grumbullimin e trupave ruse në kufijtë e vendit të tij. Sipas Zelenskyt, paralajmërimet për një pushtim të afërt po e rrezikojnë ekonominë e Ukrainës. Ai iu kujtoi njerëzve se vendi i tij ka jetuar me kërcënimin e agresionit rus për vite me radhë. Pse po ndodh kërcënimi dhe çfarë po kërkon Rusia nga Perëndimi? Rusia po kërkon nga Perëndimi që të mos lejojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancën ushtarake NATO. NATO duhet t’i japë fund aktivitetit ushtarak në Evropën Lindore, duke kërkuar tërheqjen e trupave nga Polonia dhe nga vendet si Estonia, Letonia dhe Lituania. Aleanca nuk duhet të vendosë raketa në vendet afër ose në kufi me Rusinë. Këto kërkesa u refuzuan nga ana e SHBA-së. Rusia tha të premten se nuk ka në plan të nisë një luftë në Ukrainë, por shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë injoruar kërkesat e saj dhe kanë lënë pak hapësirë për kompromis për zgjidhjen e krizës lidhur me Ukrainën.