Ukraina kërkon armë gjermane
Ambasada e Ukrainës në Berlin kërkoi sisteme për mbrojtjen kundërajrore ndaj raketave me rreze të mesme veprimi, sisteme kundërajrore portative, armë kundër dronëve, sisteme të shkatërrimit me mikrovalë, sisteme elektronike gjurmimi, por edhe pajisje për shikimin natën, kamera vëzhgimi dhe municione.
Në një letër drejtuar Ministrisë së Jashtme gjermane, Kievi rendit shumë dëshira dhe kërkon që Gjermania ta shqyrtojë sa më shpejt kërkesën. Në letër thuhet se për shkak të “situatës jashtëzakonisht të tensionuar të sigurisë dhe kërcënimit të agresionit rus”, ambasada kërkon që “kjo kërkesë të shqyrtohet sa më shpejt të jetë e mundur”. Qeveria gjermane i ka premtuar Ukrainës vetëm dërgimin e 5000 helmetave ushtarake. Ky është një “sinjal shumë i qartë se ne jemi në anën tuaj”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht. Ambasadori ukrainas në Berlin e mirëpriti dorëzimin, por në të njëjtën kohë e kritikoi atë si një “gjest simbolik”. Në marrëveshjen e koalicionit, qeveria federale gjermane e përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP kanë vendosur të mos dërgojnë armë në rajone krize.