Biden thirrje amerikanëve të largohen nga Ukraina
Presidenti i SHBA, Joe Biden, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë që kanë mbetur në Ukrainë që të largohen menjëherë nga vendi, duke përmendur kërcënimet e shtuara nga forcat ushtarake ruse.
Biden tha se nuk do të dërgojë trupa për të shpëtuar amerikanët nëse Moska pushton Ukrainën. Ai paralajmëroi se "gjërat mund të dalin jashtë kontrollit shpejt" në rajon. Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje amerikanëve në Ukrainë që të largohen menjëherë. "Qytetarët amerikanë duhet të largohen tani," tha zoti Biden për NBC News . "Kemi të bëjmë me një nga ushtritë më të mëdha në botë. Është një situatë shumë e ndërlikuar dhe gjërat mund të ndryshojnë shpejt", tha Biden. Ndërkohë Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht se ka përqendruar më shumë se 100,000 trupa ushtarakë në kufi. Moska sapo ka nisur stërvitjet masive ushtarake me Bjellorusinë fqinje, ndërsa Ukraina ka akuzuar Rusinë për bllokimin e daljes së saj në det.