Steinmeier rizgjidhet President i Gjermanisë
Asambleja Federale rizgjodhi sot në Berlin Frank-Walter Steinmeier si President Federal të Gjermanisë. Ky është mandati i dytë për Steinmeierin.
Atë e propozuan për mandatin e ri partitë qeveritare SPD, të Gjelbrit dhe FDP, si dhe opozita CDU/CSU. Së bashku, ato kishin një shumicë të madhe në Asamblenë Federale. Frank Walter Steinmeier u zgjodh në këtë post me 1045 vota. Nga 1437 vota të dhëna, 1425 qenë të vlefshme, 12 të pavlefshme, 86 abstenime. Steinmeieri e pranoi zgjedhjen dhe falenderoi. Ai shprehu respektin për bashkëkandiduesit për postin e Presidentit Federal. Ai tha se do të jetë President mbipartiak, por jo neutral, kur është fjala për demokracinë. Ai që angazhohet për demokracinë, më ka në anën e tij, ai që është kundër saj, më ka kundër, tha ai. Steinmeieri tha se mund të diskutohet shumë për shkaqet e ftohjes midis Rusisë dhe Perëndimit. Por, shtoi ai, "ne jemi në mes të një rreziku të një lufte dhe për këtë Rusia mban përgjegjësi". Presidenti gjerman tha se marshimi i trupave ruse është një kërcënim për Ukrainën. Asnjë vend i botës nuk ka të drejtë të shkatërrojë të drejtën e një vendi për të jetuar në paqe.