Rritje e numrit të viktimave nga përmbytjet në Brazil
(last modified Thu, 17 Feb 2022 07:08:18 GMT )
Shkurt 17, 2022 08:08 Europe/Tirane
  • Rritje e numrit të viktimave nga përmbytjet në Brazil

Ka shkuar në 78 numri i të vdekurve nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në shtetin brazilian të Rio de Zhaneiros.

Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, guvernatori i shtetit brazilian të Rio de Zhaneiros, Klaudio Kastro, tha të mërkurën se përmbytja në qytetin "Petropolis" la gjithashtu 400 persona të pastrehë. Kastro shtoi se 21 persona u shpëtuan të gjallë gjatë ditës duke kërkuar nëpër rrënoja. Departamenti i zjarrfikësve në Rio de Zhaneiro dje tha se numri i të vdekurve ishte rritur në 34. Sipas Agjencisë Meteorologjike Braziliane, në më pak se 6 orë të martën, në disa pjesë të qytetit të Petropolis ranë deri në 260 mm shi, që ishte më shumë se sa pritej për të gjithë muajin shkurt. Bashkia e Petropolis shpalli tre ditë zie publike për numrin e lartë të të vdekurve dhe të zhdukurve në qytetin e Petropolis.  Brazili juglindor ka parë shira të dendur që nga fillimi i vitit, me më shumë se 40 vdekje të regjistruara në shtetin e Minas Gerais në fillim të janarit dhe në shtetin e Sao Paulos në fillim të shkurtit. Përveç humbjeve të mëdha financiare dhe njerëzore, përmbytjet kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe kanë detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.