Rritet çmimi i naftës në botë
Frika se përshkallëzimi i krizës mes Rusisë dhe Ukrainës mund të shkaktojë ndërprerje apo çrregullime të furnizimit, ndikoi dukshëm mbi çmimin e naftës dhe gazit.
Kuotimi i tyre ishte në rritje gjatë ditës së sotme dhe çmimi i naftës së papërpunuar Brent, pika ndërkombëtare e referimit, mbërriti 99.38 dollarë për fuçi – niveli më i lartë në shtatë vjet. Luhatjet erdhën menjëherë pasi presidenti rus Vladimir Putin, njohu rajonet separatiste në lindje të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck, si entitete të pavarura. Pas kësaj, Putini urdhëroi dhe vendosjen e trupave ruse atje. Disa vende perëndimore kanë kërcënuar me sanksione kundër Rusisë, e cila është eksportuesja e dytë më e madhe e naftës dhe prodhuesja kryesore e gazit natyror në botë.