Kina kundërshton sanksionet anti-ruse të Perëndimit
Pekini akuzoi Uashingtonin se "po hedh benzinë në zjarr".
Kina akuzoi, të mërkurën, 23 shkurt, Shtetet e Bashkuara se "po hedh benzinë në zjarr" në krizën në Ukrainë. "Shtetet e Bashkuara kanë shitur armë në Ukrainë, duke rritur tensionet, duke krijuar panik dhe madje duke caktuar edhe orarin për një luftë," u tha gazetarëve zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Kineze, Hua Chunying, cituar nga AFP. "Pyetja kryesore është se çfarë roli kanë luajtur Shtetet e Bashkuara në tensionet aktuale në Ukrainë," pyeti zëdhënësja. “Dikush që hedh benzinë në zjarr, ndërsa akuzon të tjerët, është imoral dhe i papërgjegjshëm”, tha Hua Chunying. E pyetur në lidhje me mundësinë e vendosjes së sanksioneve nga Kina ndaj Rusisë, Hua Chunying tha se ato "asnjëherë nuk kanë qenë një mënyrë thelbësore efektive për të zgjidhur problemet". “Tajvani nuk është Ukraina dhe ka qenë gjithmonë një pjesë e patjetërsueshme e Kinës”, theksoi ajo, duke shtuar se “ ky është një fakt i padiskutueshëm ligjor dhe historik”. Kina u bëri thirrje të hënën palëve të përfshirëve në krizën ukrainase që të "tregojnë vetëpërmbajtje", nëpërmjet ambasadorit të saj në OKB, Zhang Jun. Në këtë proces, zëdhënësi i Kremlinit denoncoi qasjen "politike" të Perëndimit ndaj projekteve ekonomike nga të cilat përfitojnë të dyja palët. Duke reaguar ndaj vendimit të Gjermanisë për pezullimin e projektit energjitik Nord Stream 2, Dimitri Peskov tha: “Ne e kemi theksuar vazhdimisht se ky projekt nuk ka të bëjë fare me politikën. Ky është një projekt thjesht ekonomik dhe tregtar nga i cili jo vetëm përfitojnë të gjitha palët e përfshira, por është gjithashtu një faktor stabilizues për tregun e gazit në Evropë (…)". Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, i quajti sanksionet e reja perëndimore kundër Moskës "të paligjshme". Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se interesat e Rusisë janë të panegociueshme, dhe me këtë, presidenti rus tregoi se nuk ka ndërmend të ndalet, pavarësisht presionit të perëndimit dhe sanksioneve ekonomike, edhe pse u përpoq ta theksonte se nuk ia ka mbyllur përfundimisht rrugën diplomacisë. “Vendi ynë është gjithmonë i hapur për dialog të ndershëm dhe të drejtpërdrejtë, për të kërkuar zgjidhjet diplomatike dhe në problemet më komplekse. Por interesat e Rusisë, siguria e qytetarëve tanë, nuk janë të negociueshme për ne”, tha ai. Sipas NATO-s, siguria europiane po përjeton sot momentin më të madh prej gjeneratash të tëra. Një zyrtar i lartë i sigurisë në Ukrainë, Oleksiy Danilov, njoftoi se vendi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë territorin e tij. Ajo do të zgjasë 30 ditë dhe mund të zgjatet edhe për 30 ditë të tjera. Separatistët pro-rusë kanë kontrolluar pjesë të Donetskut dhe Luhanskut që nga viti 2014. Rusia i njohu ato si shtete të pavarura dhe miratoi dërgimin e trupave të saj atje gjatë kësaj jave, dhe tani, po shtohet frika e një mësymjeje të plotë të Moskës mbi shtetin fqinj.