Përshkallëzimi i luftës së sanksioneve kundër Rusisë
Bashkimi Evropian, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë perëndimorë, shpallën sanksione të reja kundër Rusisë – për shkak të pushtimit të Ukrainës – të cilat përfshijnë edhe përjashtimin e disa bankave ruse nga sistemi i pagesave ndërbankare, SWIFT.
Përjashtimi i bankave të Rusisë nga SWIFT kufizon qasjen e këtij vendi në tregjet financiare në botë. Kompanitë dhe individët rusë do ta kenë më të vështirë të paguajnë për importet, të marrin pagesat për eksportet, të marrin hua ose të investojnë jashtë shtetit. Blerësit e huaj të mallrave ruse do ta kenë gjithashtu më të vështirë – çfarë do t’i bëjë të kërkojnë furnizues alternativë. Por, kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin rus, blerësit e huaj mund ta kenë më të vështirë të gjejnë furnizues zëvendësues. Sipas Komisionit Evropian, Rusia është furnizuesja kryesore e BE-së me naftë të papërpunuar dhe gaz natyror. Megjithatë, zyrtarët rusë kanë deklaruar se tashmë janë duke u përgatitur për skenarët e sanksioneve perëndimore. Sidoqoftë, pasojat e këtij vendimi të Perëndimit do të jenë serioze për ekonominë, tregtinë dhe energjinë ruse. “Mohimi i aksesit të Rusisë në rrjetin Swift është si një opsion bërthamor në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës”, tha Kaitlan Collins, një korrespondente e CNN. Moska prej kohësh ka ndërmarrë hapa për të minimizuar sanksionet e paprecedentë perëndimore. Rusia ka 640 miliardë dollarë rezerva valutore dhe ka reduktuar në mënyrë drastike varësinë e saj nga dollari gjatë vitit të kaluar, ndërsa ka zgjeruar lidhjet e saj ekonomike dhe tregtare me Kinën. “Nuk do të jetë e lehtë të minohet ekonomia ruse prej 1.5 trilion dollarësh, veçanërisht pasi ajo filloi të përpiqet të mbrohej nga sanksionet ndërkombëtare pasi aneksoi Krimenë në vitin 2014”, tha analisti politik David Pearson. Ndërkohë Rusia pritet të nisë sanksione kundër Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian merr rreth 40 për qind të gazit dhe një të katërtën e naftës nga Rusia, duke e bërë Rusinë furnizuesin më të madh të energjisë në BE. Ky pozicion dominues në tregun evropian të energjisë ruhet, pavarësisht përpjekjeve për ta zvogëluar atë. Vendet e BE-së varen nga Rusia për të ngrohur shtëpitë e qytetarëve të tyre, për të prodhuar energji elektrike dhe për përdorim industrial, dhe në afat të shkurtër dhe afatmesëm nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të vazhdojnë të marrin energji nga Rusia. Sigurisht, Rusia është gjithashtu shitësi më i madh i gazit në Evropë dhe të ardhurat e saj nga eksporti janë shumë të rëndësishme për Moskën. Por nëse Rusia për shkak të embargos së Swift nuk është në gjendje të marrë paratë nga shitja e gazit dhe naftës, dhe gjithashtu nuk është në gjendje të bëjë transferta ndërbankare për të përmbushur nevojat e saj, atëherë mund të pritet që ajo të përdorë mjetet në dispozicion për të ushtruar presion mbi perëndimorët. Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit do ketë një efekt të drejtpërdrejtë inflacionist në vendet perëndimore, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Rusia mund të shkojë edhe më tej duke ulur ofertën e këtyre dy kompnentëve të energjisë. Kështu, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit, të cilat tani kanë arritur një fazë kritike nën ndikimin e operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë, do të çojnë në intensifikimin e mëtejshëm dhe konfrontimin gjithëpërfshirës global.