Ukrainë: Bisedimet ndalen, luftimet vazhdojnë
Raundi i parë i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftimeve përfunduan pas ndonjë marrëveshje konkrete.
Një ndihmës i Presidentit rus Vladimir Putin tha se bisedimet zgjatën rreth 5 orë. Vladimir Medinsky, kryetari i delegacionit rus në bisedimet e zhvilluara në Bjellorusi tha se të dyja palët “gjetën disa pika mbi të cilat mund të parashikohen qëndrime të përbashkëta në të ardhmen”. Palët ranë dakord për një raund të ri bisedimesh, tha Medinsky. Mykhailo Podolyak, këshilltar i Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski dha pak hollësi, duke shtuar se bisedimet u përqendruan në një armëpushim të mundshëm dhe se një raund i dytë mund të zhvillohet në të ardhmen e afërt. “Takimi tjetër do të zhvillohet në ditët e ardhshme në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë, kemi rënë dakord për këtë”, tha përfaqësuesi rus në bisedime Medinsky. Sidoqoftë, takimi i shumëpërfolur mes palës ukrainase dhe asaj ruse, përgjatë vijës kufitare me Bjellorusinë rezultoi pa ndonjë marrëveshje të arritur. Sa i përket ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën, shumë shtete evropiane duke filluar nga Britania e Madhe, Gjermania e së fundmi edhe Finlanda janë shprehur të gatshme të dërgojnë armë të ndryshme. Ndërkaq matanë Oqeanit Atlantik, Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar 12 diplomatë rus në Kombet e Bashkuara, të cilët kryenin aktivitete që nuk janë në përputhje me detyrat e tyre, të cilëve u është dhënë afat që deri në kah mesi i javës së parë të marsit të largohen. presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, sot ka nënshkruar një dokument me të cilin aplikon për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Gjithashtu ai i ka bërë thirrje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), që të fillojnë hetimet për krime kundër njerëzimit të kryera nga rusët në Ukrainë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kishte patur një telefonatë me udhëheqësin ukrainas dhe se “e vlerësoi guximin e popullit dhe forcave të armatosura të Ukrainës”. “Aleatët e NATO-s po rrisin mbështetjen me raketa mbrojtjeje ajrore, armë anti-tank, si dhe ndihmë humanitare dhe financiare,” shkruante Stoltenberg në Twitter. Departamenti Amerikan i Mbrojtjes tha se pothuajse 75% e forcave ruse të mbledhura në kufijtë e Ukrainës janë tani brenda vendit. Përparimi kryesor i trupave tani është pozicionuar rreth 25 km nga kryeqyteti Kiev, afërsisht një rritje prej 5 km që nga e diela. Ushtarët rusë ende nuk kanë kapur dy qytete kryesore: Kharkiv në verilindje dhe Mariupol në jug. Siç kanë theksuar më parë zyrtarët perëndimorë, trupat ruse nuk po bëjnë përparimin që kishin planifikuar për shkak të çështjeve logjistike dhe rezistencës së ashpër nga luftëtarët ukrainas. Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin foli të hënën me tone të ashpra në televizion duke dënuar “perandorinë e gënjeshtrave” siç quante ai botën perëndimore, teksa u ndaloi rusëve të dërgonin para jashtë shtetit, në një kohë kur sanksionet botërore kanë ulur vlerën e rublës dhe kanë bërë që qytetarët të nxitojnë për të marrë para në banka. Agjencia ruse e lajmeve Interfax raportoi se Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi të hënën se forcat e saj raketore bërthamore së bashku me flotën e Veriut dhe të Paqësorit ishin vendosur në detyrë të zgjeruar luftarake në përputhje me një urdhër presidencial një ditë më parë. Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu i tha Putinit se "njësitë komanduese të Forcave Raketore Strategjike, të Flotës Veriore dhe të Paqësorit dhe Komandës së Aviacionit me rreze të gjatë, filluan të kryejnë detyrën luftarake me personel të përforcuar". Urdhri u lëshua një ditë pasi Gjermania dhe vende të tjera evropiane thanë se do të dërgonin armë dhe pajisje të tjera ushtarake për të ndihmuar Ukrainën të luftonte forcat ruse.