Forcat ruse zgjerojnë operacionet në Ukrainë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i123324-forcat_ruse_zgjerojnë_operacionet_në_ukrainë
Ushtria ruse po e përqendron fushatën e saj të bombardimeve mbi njërin prej qyteteve kyçe të Ukrainës, Kharkiv teksa marrja e Kievit po kthehet në një sfidë të vërtetë për Moskën.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 02, 2022 16:25 Europe/Tirane
  • Forcat ruse zgjerojnë operacionet në Ukrainë

Ushtria ruse po e përqendron fushatën e saj të bombardimeve mbi njërin prej qyteteve kyçe të Ukrainës, Kharkiv teksa marrja e Kievit po kthehet në një sfidë të vërtetë për Moskën.

Të paktën 10 vetë humbën jetën e 35 të tjerë u plagosën pas goditjes me raketa të ndërtesës së Operas, një salle koncertore dhe zyrave qeveritare të ndodhur në sheshin kryesor të qytetit. Presidenti Volodymir Zelensky e akuzoi hapur Moskën se po kryen krime lufte në qytetin e dytë më të madh të vendit të tij. Pak më vonë, parashutistë rusë u lëshuan mbi Kharkiv, duke shtuar kështu përpjekjet për marrjen e tij, por në zonat ku ata zbritën, ndeshën në rezistencë të menjëhershme. Ushtria ruse duket është përqendruar tani gjithashtu tek marrja e qytetit jugor Kherson, një lëvizje kjo strategjike që do t`i lejonte krijimin e një baze për ushtrinë gjatë tentativës për tu shtyrë më thellë në tokën ukrainase, ndërsa po rreshton forcat për marrjen e Mariupolit, çka do të krijonte një lloj ure tokësore për forcat ruse që të mund të lëvizin lirshëm prej tokës ruse dhe Krimesë. Një zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes tha të mërkurën se forcat ruse kishin marrë kontrollin e Khersonit në Detin e Zi, raportoi Reuters. Kherson, me gati një çerek milion banorë në veri të Krimesë, është qyteti më i madh që ka rënë në duart e forcave ruse deri më tani. Kryetari i bashkisë Igor Kolykhayev u citua nga mediat lokale të martën të ketë thënë se forcat ruse kishin marrë kontrollin e stacionit hekurudhor dhe portit gjatë natës dhe se pushtimi i Khersonit ishte duke u afruar.