Shpresë për bisedime, Rusia pushton qytetin Kherson
Bisedimet Rusi-Ukrainë do të zhvillohen të enjten në kufirin Bjellorusi-Poloni. Televizioni shtetëror rus tha se bisedimet ishin planifikuar të zhvilloheshin në një rajon të quajtur Blaushevsky në kufirin Bjellorusi-Poloni.
Qyteti Blaushevsky është vendi ku u nënshkruan marrëveshjet për fundin e Bashkimit Sovjetik. “Ushtria ruse po ofron një korridor sigurie për delegacionin ukrainas që të lëvizë në Bjellorusi”, u tha gazetarëve sot Vladimir Medinsky, këshilltari i presidentit rus dhe kreu i delegacionit rus për bisedimet me delegacionin ukrainas. Rusia tha të mërkurën se forcat e saj morën nën kontroll Khersonin, qytetin e parë më të madh në jug, ndërsa luftimet u ndezën gjithandej Ukrainës dhe vendet perëndimore po shtrëngojnë lakun ekonomik rreth Rusisë. Më shumë se gjysmë milioni ukrainas janë larguar nga vendi që kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi një sulm të plotë mbi fqinjin e tij jugor të enjten e kaluar. Bombardimet ruse mbi qytetet e Ukrainës vazhduan, ndërsa videot e postuara në mediat sociale, tregojnë ndërtesa të dëmtuara rëndë rreth qytetit të dytë më të madh, Kharkiv. Një zëdhënës i ministrisë ruse të Mbrojtjes, tha se forcat ruse kanë marrë nën kontroll Khersonin, një qytet me gati një çerek milionë banorë në veri të Krimesë, gadishullit të aneksuar nga Rusia në vitin 2014. I vendosur strategjikisht në lumin Dnjepër, kryeqyteti i provincës është qyteti më i madh që ra në duart e forcave ruse deri më tani. Një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha se Rusia nuk e kontrollon Khersonin dhe se luftimet në rrugë po zhvillohen në portin jugor, i cili ndodhet në daljen e lumit Dnjepër në Detin e Zi. “Qyteti është dorëzuar. Nuk ka asnjë ushtri ukrainase këtu” tha kryetari i bashkisë së Kherson Igor Kolykhaev të mërkurën në mbrëmje citon New York Times. Qyteti juglindor i Mariupolit është nën bombardime intensive që nga e marta vonë dhe nuk ishte në gjendje të evakuojë të plagosurit, sipas kryebashkiakut të tij.