Nga sulmet ruse në Chernihiv, vriten 47 persona
Autoritet ukrainase kanë njoftuar se 47 persona janë vrarë nga sulmet ajrore ruse, të mërkurën mbi qytetin Chernihiv.
Ekipet e shpëtimit janë detyruar të anulojnë përkohësisht operacionin e kërkim-shpëtimit, për shkak të granatimeve të vazhdueshme ruse. Që nga fillimi i invazionit rus, në këtë rajon kanë humbur jetën 148 persona, shumica prej tyre civilë. Ky qytet që numëron 300 mijë banorë, gjendet në veri të Ukrainës dhe është shumë pranë kufijve me Rusinë dhe Bjellorusinë. Forcat ruse janë ende rreth 25 kilometra larg qendrës së Kievit, ndërsa forcat ruse mbeten 10 kilometra jashtë qendrave të Chernihiv dhe Kharkiv, sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes. Në Kharkiv dhe Chernihiv, të jesh 10 kilometra larg qendrës së qytetit “barazohet me të qenit me të vërtetë në periferi të qytetit”, theksoi zyrtari. “SHBA sheh më shumë sukses tek forcat ruse në jug. SHBA nuk i kundërshton raportet se Kherson është marrë nga forcat ruse, por nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar në mënyrë të pavarur këto pretendime”, tha zyrtari.