Përfundon raundi i tretë i bisedimeve Rusi-Ukrainë
Negociatat e delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi përfunduan, tha Ambasada ruse në Minsk.
Një anëtar i delegacionit ukrainas tha se ka pak përparim në përmirësimin e korridoreve humanitare. Vladimir Medinsky, këshilltar i presidentit rus tha se ata diskutuan të gjitha pikat e rendit të ditës një nga një, duke theksuar se, “gjetën disa pika që mund t’i parashikojmë në qëndrime të përbashkëta”. Ky ishte raundi i tretë i bisedimeve mes tre palëve. Vendndodhja nuk është bërë e ditur, ndërsa raundi i parë i bisedimeve, më 28 shkurt dhe i dyti më 3 mars, të dyja u zhvilluan në Bjellorusi. Ndërkohë, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov dhe ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba do të takohen të enjten në Antalia të Turqisë, sipas ministrisë së jashtme ruse, ndërsa ende nuk është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Ukrainës. Ndërkohë OKB ka bërë thirrje për hetim të vrasjes së negociatorit ukrainas Kireev në Kiev. Rusia ka thënë se mund të ndalojë operacionet në “çdo moment” nëse Ukraina përmbush kushtet ruse. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov thotë se Ukraina duhet të njohë Krimenë si ruse dhe Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura. Përveç kësaj, Peskov thotë se Ukraina duhet të ndryshojë kushtetutën e saj dhe të refuzojë pretendimet për të hyrë në çdo bllok (si NATO, për shembull). Ai shton se Rusia do ta përfundojë “çmilitarizimin” e Ukrainës dhe nëse plotësohen këto kushte, veprimet ushtarake ruse “do të ndalen në një moment”. Zëdhënësi i Kremlinit këmbëngul se Rusia nuk po kërkon të bëjë pretendime të mëtejshme territoriale ndaj Ukrainës.