OBSH thirrje urgjente Ukrainës: Shkatërroni viruset në laboratorë
Organizata Botërore e shëndetësisë këshilloi Ukrainën që të shkatërrojë patogjenët me rrezik të lartë të zhvilluar në laboratorët e shëndetit publik të vendit për të parandaluar çdo "rrjedhje të mundshme" që do të përhapte sëmundje në mesin e popullatës.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së pritet të mbajë të premten një mbledhje urgjente për të shqyrtuar kërkesën e Rusisë lidhur me pretendimet e Moskës për laboratorët në Ukrainë. Rusia akuzoi të enjten Shtetet e Bashkuara për financimin e kërkimeve për zhvillimin e armëve biologjike në Ukrainë përmes laboratorëve. Ministria e Mbrojtjes ruse ka publikuar disa dokumente në të cilat thuhej se në Kiev, Kharkiv dhe Odesa po studiohej mundësia e përhapjes së infeksioneve të rrezikshme përmes shpendëve migrues. Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya ka pohuar se forcat e Moskës kanë gjetur prova të një përpjekjeje për të pastruar provat e armëve biologjike në Ukrainë. Sipas tij, forcat ruse kishin gjetur prova të një rrjeti prej “të paktën 30” laboratorësh të kërkimit biologjik që synonin forcimin e disa “sëmundjeve vdekjeprurëse”. Ai tha se eksperimente biologjike shumë të rrezikshme ishin kryer në koordinim me SHBA.