Forcat ruse rigrupohen për të sulmuar Kievin
https://parstoday.ir/sq/news/world-i123830-forcat_ruse_rigrupohen_për_të_sulmuar_kievin
Sirenat e sulmit ajror janë dëgjuar në shumicën e qyteteve në Ukrainë, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se vendi i tij ka "arritur një pikë kthese strategjike" në luftë me forcat ruse që duket se janë rigrupuar për një sulm të mundshëm në Kiev.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 12, 2022 16:30 Europe/Tirane
  • Forcat ruse rigrupohen për të sulmuar Kievin

Sirenat e sulmit ajror janë dëgjuar në shumicën e qyteteve në Ukrainë, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se vendi i tij ka "arritur një pikë kthese strategjike" në luftë me forcat ruse që duket se janë rigrupuar për një sulm të mundshëm në Kiev.

Sirenat u dëgjuan të shtunën në kryeqytetin Kiev, qytetin perëndimor Lviv, në Odessa dhe Kharkiv, Cherkasy, si dhe në rajonin Sumy në verilindje të vendit, thanë raportet. Duke folur në një video të postuar në internet, Zelensky u kërkoi ukrainasve të jenë të durueshëm, duke këmbëngulur se vendi i tij do të fitojë pavarësisht raporteve për forcat ruse që për herë të parë godasin afër aeroporteve në pjesën perëndimore të Ukrainës. Zelensky iu lut atyre që kanë qëndruar të "mbahen", duke shtuar: "Sigurohuni që të luftoni. Sigurohuni që të jepni të gjithë forcën tuaj." Të premten, zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov njoftoi se fushat ajrore Lutsk dhe Ivano-Frankivsk ishin nxjerrë "jashtë veprimit" në sulmet me raketa. Rusia thotë se do të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak nëse Kievi përmbush listën e kushteve të Moskës, duke përfshirë që Ukraina të mos tentojë kurrë të bashkohet me NATO-n. Një zyrtar i qeverisë ukrainase tha të premten se kryeministri izraelit Naftali Bennett i ka kërkuar Zelenskit të pranojë kërkesat e homologut të tij rus. Zyrtari kritikoi ashpër përpjekjet e Bennett për të ndërmjetësuar krizën, duke thënë se kryeministri "po përdor ndërmjetësimin për të justifikuar faktin se Izraeli po shmang transferimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë dhe nuk po i bashkohet sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë". “Nuk kemi nevojë për kuti postare. Kemi mjaft nga këto,” vazhdoi zyrtari ukrainas duke shtuar: “Zyra e Presidentit Zelensky nuk beson se kjo është mënyra për të ndërmjetësuar". Ndërkohë, guvernatori i rajonit të Donetsk, Pavlo Kyrylenko tha se ‘Qyteti juglindor i Volnovakha është shkatërruar plotësisht që nga pushtimi rus’. Ai tha se që nga fillimi i pushtimit, shumica e popullsisë së Volnovakha-s është larguar dhe infrastruktura e saj është shkatërruar, që do të thotë se qyteti  nuk ekziston më. Presidenti i SHBA, pasi e ndaloi personalisht dërgimin e avionëve luftarakë MIG-29 nga Polonia në Ukrainë, paralajmëroi sërish mbi rrezikun e një Lufte të Tretë Botërore. Një konflikt i drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s do të ishte katastrofik, tha presidenti amerikan Joe Biden, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë “çdo pëllëmbë” territori të aleancës ushtarake nëse do të jete e nevojshme.