Bisedimet me Kievin të përqendruara në statusin neutral të Ukrainës
Një negociator rus tha këtë të premte, në ditën e 23 të luftës se bisedimet Kiev-Moskë janë përqendruar në çështjen e neutralitetit të Ukrainës.
Ai tha se diskutimet janë në vazhdim, duke përfshirë garancinë e sigurisë nëse Ukraina refuzon të anëtarësohet në NATO. Për çështjen e çmilitarizimit në Ukrainë, negociatori tha se ata janë “në gjysmë të rrugës”. Teksa lufta Rusi-Ukrainë ka hyrë në ditën e 23-të, nuk ka ende shenja paqeje mes dy vendeve. Që herët në mëngjes, u sulmua qyteti i Lviv, ku mbetën të shkatërruara banesa dhe aeroporti i qytetit. Ndërsa OKB tha këtë të premte se të paktën 816 civilë janë vrarë dhe 1,333 janë plagosur në Ukrainë deri më 17 mars. Shumica prej tyre humbën jetën nga bombardimet me armë dhe raketa. Numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë pasi OHCHR nuk ka mundur të mbledhë informacion nga disa prej qyteteve më të goditura, përfshirë edhe Mariupolin. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se bombardimet ruse po i pengojnë autoritetet në qytetin jugor të Mariupolit të krijojnë korridoret humanitare. Ushtria ruse thotë se luftimet kanë arritur në qendër të qytetit, ndërsa mijëra qytetarë mbetën të bllokuar. Në fjalimin e tij të fundit drejtuar kombit, Zelensky tha se qindra njerëz janë ende të bllokuar nën rrënojat e një teatri atje që u bombardua të enjten.