Konflikti në Ukrainë dhe dilema e Erdoganit
Ndërsa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ende po përpiqet të sjellë në Stamboll homologët e tij rus dhe ukrainas, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, jo aq shumë për rifillimin e bisedimeve të paqes, por për lavdi dhe foto suvenire, nuk ka asnjë shenjë të qartë në horizont për përfundimin e luftës, as ndonjë entuziazëm nga ana e Kremlinit për të marrë pjesë në lojën turke.
Për më tepër, një pjesë e inteligjencës ushtarake e bërë publike nga zyrtarët rusë të mbrojtjes priren të komplikojnë më tej detyrën për Erdoganin. Rusët me të vërtetë kanë zbuluar se dronët turq TB2 Bayraktar nuk ishin aspak të shkëlqyera. Sigurisht ata ishin në gjendje të shënjestronin disa pika të vogla të mbuluara nga sistemet S-400 ruse, por kjo është e gjitha: as batalione të Pantsir-S nuk u shkatërruan, as kampet e trupave, as S-300 apo S-400 të shkatërruar. Edhe Zelensky u ankua për këtë, duke thënë se droni në fjalë nuk ishte as vendimtar dhe as me peshë në fushën e betejës. Por dronët Bayraktar nuk janë të vetmit që kanë shënuar pengesat turke në Ukrainë. Janë edhe sistemet S-400, këto bateri ruse të raketave anti-raketore që Erdogani i bleu dhe të cilat i sollën atij zemërimin e amerikanëve pa qenë në gjendje t'i sillnin vërtet simpatinë ruse. Me afrimin e zgjedhjeve, edhe kundërshtarët politikë të Erdoganit po e qortojnë atë për këtë shkurtpamje, duke vënë në dukje se qeveria e Erdoganit i ka bërë shumë të rënda kostot politike dhe ekonomike të këtyre S-400-ve, të cilët janë plotësisht të padobishëm as për të mbrojtur qiellin turk, as për të fituar favoret e Rusisë. Sipas tyre, “Është një sistem mbrojtës për vitrinë dhe jo për luftë”! Në lidhje me raketat S-400 ruse të blera nga Turqia, analisti turk Taha Akyol shkruan: “Në mes të luftës në Ukrainë, raketat S400 nuk mundën të mbronin pozicionet ruse si dhe kryqëzorin rus Moskva. Kështu u zbulua dobësia teknike e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400. Turqia nuk është as në gjendje t'i përdorë ato dhe as në gjendje të heqë dorë prej tyre. Dhe shtojini kësaj edhe faktin që humbëm edhe avionin amerikan F-35 për shkak të blerjes së këtyre raketave ruse. E gjithë kjo i shtohet një fature jashtëzakonisht të rëndë shumë miliardë dollarëshe, për të cilën Erdogani duhet të përgjigjet dhe nuk po përgjigjet. Në të vërtetë, blerja e këtyre sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore çoi në një ndryshim rrënjësor në politikën ushtarake dhe të jashtme të Turqisë, duke djegur të gjitha pistat. Turqia nuk është më anëtare e NATO-s, përveçse në kuadrin e angazhimeve të saj dhe jo më për përfitimet që duhet t'i sjellë ky anëtarësim!”. Duke dashur shumë për të luajtur të zgjuarin, Erdogani duket se po humbet një nga një asetet e tij. Vitet e fundit, ekipi i Erdoganit ka kombinuar strategjinë e tij të mbrojtjes me interesat afatshkurtra politike dhe ekonomike. Me blerjen e sistemit S-400 nga Rusia, qeveria e Erdogan pretendoi të distancohej nga Perëndimi dhe të afrohej më shumë me Lindjen. Por gjatë pushtimit të Ukrainës, ai përsëri mori një pozicion të ndërmjetëm, duke e vënë veten në një pozicion ku nuk mund të ishte aq afër SHBA-së dhe NATO-s si më parë, e as të hynte në një marrëdhënie strategjike me Rusinë. Një qorrsokak i denjë për Erdoganin.