Zelensky përpiqet të zgjidhë mosmarrëveshjet me Gjermaninë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka ftuar kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin, Frank-Walter Steinmeier që të takohen me të në Kiev.
Zelensky e bëri ftesën gjatë një bisede telefonike me Steinmeierin, ku “u sqaruan acarimet e së kaluarës” dhe Steinmeier shprehu “solidaritetin, respektin dhe mbështetjen” për Ukrainën. Ftesa vjen tre javë pasi Steinmeier u refuzua nga Kievi për shkak të lidhjeve të ngushta ekonomike të Gjermanisë me Rusinë.Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje gjithashtu edhe kancelarit gjerman Olaf Scholz të ndërmarrë një “hap të fuqishëm” siç e quan ai, dhe të vizitojë Kievin më 9 maj. “Ai është i ftuar, ftesa është e hapur; ka kohë që është”, ka thënë Zelensky. Zelensky është treguar kritik ndaj Gjermanisë, pasi kjo e fundit nuk iu bashkua vendeve të tjera europiane për ndalimin e energjisë ruse. Javën e kaluar, Steinmeier pranoi se kishte gabuar në lidhje me Rusinë, duke thënë se politika gjermane ndaj Moskës kishte dështuar dhe se ai ishte gabuar për përpjekjen për të ndërtuar ura me Putinin dhe për mbështetjen e Nord Stream 2. Ndërkohë, disa politikanë gjermanë kanë shprehur irritim dhe habi që presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier nuk është i mirëpritur në Kiev – duke thënë se vizita e tij e planifikuar me liderët nga Polonia dhe shtetet baltike do të kishte treguar solidaritetin gjerman me Ukrainën. Në një postim në rrjetet sociale, Aydan Özoguz, një anëtar drejtues i partisë Social Demokrate të Z. Steinmeier, tha se ishte irrituese dhe jo veçanërisht gjë e zgjuar që Ukraina të kërkonte shumë mbështetje nga Gjermania, por të mos ishte e gatshme “të shihte” presidentin. Edhe kancelari Olaf Scholtz, e refuzoi udhëtimin në Ukrainë , duke përmendur lëvizjen "mosrespektuese" të Kievit i cili kundërshtoi vizitën e Steinmeier në këtë vend. Sidoqoftë ftesa e Zelenskyt për kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier synon të reduktojë mosmarrëveshjet mes Kievit dhe Berlinit, ndërsa Gjermania duket se po shton ndihmën ushtarake për Ukrainën. Qeveria e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, është përballur me kritika pasi nuk ka ofruar armatime për Ukrainën, aq sa kanë ofruar aleatët perëndimorë. Por, në fund të prillit, Berlini u pajtua që të dërgonte tanke në Ukrainë. Tanket e dërguara janë të llojit Panzerhaubitze 2000s dhe vijnë nga stoku i ushtrisë gjermane. Ende nuk është dhënë një datë e saktë se kur do të bëhet dërgimi i tyre. Ushtarët ukrainas pritet që javën e ardhshme të trajnohen në Gjermani për të përdorur Panzerhaubitze 2000s.