Guterres shpreh shqetësimin për pasojat e luftës në Ukrainë
“Ne po përballemi me një krizë ushqimore, energjitike dhe financiare si rezultat i luftës në Ukrainë, e cila po ngadalëson përparimin për të gjithë botën”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres.
Ukraina është një nga tre eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë, e njohur si "Shporta Evropiane e Bukës". Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, portet e Ukrainës në Detin e Zi janë mbyllur dhe miliona tonë drithë kanë mbetur në depot e vendit. "Ne po i afrohemi me shpejtësi gjysmës së mbetur për të arritur objektivat e zhvillimit, por progresi është në rrezik " tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në një takim virtual të Nismës së Miqve të Zhvillimit Global për Zbatimin e Shpejtë të Agjendës 2030. “Pandemia, rimëkëmbja e brishtë ekonomike globale, ndryshimet klimatike dhe konflikti në Ukrainë po na pengojnë të arrijmë qëllimet tona”, tha Guterres. Edhe Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara dha alarmin për rrezikun e një kërcënimi të afërt nga uria në disa pjesë të botës, dhe ka kërkuar që të hapen sa më shpejt portet e Ukrainës së përfshirë nga lufta. Bllokimet që solli lufta i kanë shtyrë tashmë çmimet në tregjet e mallrave ushqimore në nivele rekord, e që në muajin e parë pas fillimit të krizës, çmimet e eksportit për grurin dhe misrin u rritën edhe me 22% dhe 20%.